Avokati i Popullit, Berisha: Firmat u tërhoqën para se të dërgoheshin në Kuvend, u kërkua ndjesë

Politikë | 11 muaj më parë

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në një fjalim para grupit parlamentar demokrat, kritikoi ashpër procesin e emërimit të Avokatit të Popullit.

Sipas Berishës, kryeministri ka mbajtur peng procesin për dy vjet dhe më pas, në mënyrën më të vendosur, ka emëruar kandidatin e tij, duke shkelur procedurat kushtetuese dhe ligjore. Ai theksoi se emërimi u bë pasi firmat e mbështetësve u tërhoqën një nga një, dhe se kryeministri zgjodhi pikërisht kandidatin që i shërbente interesave të tij.

“Zero tolerancën e tij ndaj balancës dhe kontrollit të pushteteve. Edi Rama faktoi dhe provoi se ai është i aftë të përmbysë gjithçka, qoftë dhe për një % minimale pushteti që duhej të ndante siç është rasti i Avokatit të Popullit. Jo për interes të opozitës, por të funksionimit të këtij institucioni në atë frymë të besueshmërisë së atij institucioni para qytetarëve shqiptare.

Prej 2 vitesh mban peng këtë proces dhe në fund në mënyrën më të vendosur grabiti dhe emëroi njeriun e tij.

Emëroi një kryetar partie që ditën paraqitej si opozitë dhe natën flirtonte me të.

Por emëroi duke shkelur çdo procedurë kushtetuese dhe ligjore, emëroi pasi të gjitha firmat e dhëna për të, jo për tu zgjedhur, por të listohej në listën e kandidatëve që do shqyrtonte komisioni i ligjeve.

Firma që u tërhoqën një nga një nga firmëtarët që kishin firmosur”, tha Berisha. Ai shtoi se kjo zgjedhje shkel praktikat e mëparshme dhe disa detyrime që rrjedhin nga procesi i integrimit të Shqipërisë, megjithëse kriteret dhe standardet europiane i përcakton vetë kryeministri.

Berisha përmendi gjithashtu se emërimi u bë në një kohë kur klima politike për këtë parti gjatë garës elektorale në Tiranë ishte e tensionuar, dhe pavarësisht se u kërkua ndjesë publike për gabimet, ato nuk i fshehin shkeljet procedurale.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme