Rama në Konferencën për të Drejtën e Informimit: Transparenca, detyrim ligjor. Të sanksionohen institucionet që s’përgjigjen
Kryeministri Edi Rama mori pjesë në Konferencën e VII Kombëtare për të Drejtën e Informimit, ku theksoi se transparenca institucionale mbetet një detyrim i panegociueshëm ligjor.
Duke iu referuar vlerësimeve të organizatës SIGMA, Rama u shpreh se Shqipëria ka “një arkitekturë funksionale dhe të qëndrueshme për transparencën”, duke marrë 8.6 nga 10 në kuadrin strategjik e institucional dhe 7 nga 9 për funksionimin e autoritetit mbikëqyrës të së drejtës për informim.
“Dua të sjellë në vëmendjen opinionin enjë autoriteti që besoj se është i pakontestueshëm nga kapaciteti profesional, SIGMa dhe në vlerësimin e SIGMA-s, që gjykon performancën e institucioneve shqiptare, Shqipëria ka një arkitekturë funksionale dhe të qëndrueshëm për transparencën dhe rezultati është 8.6 nga 10 në kuadrin strategji dhe institucional dhe 7 nga 9 për funksionimin efektiv të autoritetit mbikëqyrës të së drejtës për informim. Duke iu referuar indeksit të transparencës të publikuar së fundi nga qendra kërkimore europiane për antikorrupsionin dhe shtetndërtimin, Shqipëria ka bërë një kapërcim prej rreth 5% brenda këtij viti, duke kaluar nga 73% në 78% në indeksin e transparencës, ndërkohë që mesatarja globale është 62% dhe ajo rajonale 69%, pra Shqipëria është 10 pikë mbi mesataren rajonale”, tha Ra,a.
Kreu i qeverisë kritikoi ngurrimin e disa institucioneve për të ndarë informacionet administrative, duke e cilësuar këtë sjellje “absurde” dhe të dëmshme për besimin publik. Sipas tij, mungesa e transparencës krijon “dyshim dhe atmosferë konspiracioni”, ndërsa shtoi se shumë nga problemet burokratike lidhen thjesht me “përtacinë administrative”.
Në këtë kuadër, ai nënvizoi rëndësinë e projektit Transparent Albania, një platformë e vetme virtuale ku institucionet do të publikojnë automatikisht dokumentacionin e tyre.
“Ngurrimi për të ndarë informacionet që janë fakte administrative është absurd dhe vetëm pengon apo dëmton më shumë sesa mbron, pasi krijon plus mungesës së informacionit, edhe një sens dyshimi dhe një atmosfere konspiracioni sikur ça ka mbrapa infromacionit. E kemi theksuar për të gjithë anëtarët e kabinetit domosdoshmërinë që të ketë një fokus më të madh në këtë drejtim. Për këtë arsye ne kemi shtyrë përpara projektin e Transparent Albania, që është një projekt ambicioz për të patur në një territor të vetëm virtual të gjithë informacionin dhe kjo do të lehtësonte shumë ndërveprimet mes të gjithë kërkuesve të informacionit dhe institucioneve pasi do të ishte një dritare e vetme, ku institucionet në mënyrë automatike do të duhet ët publikojnë të gjithë aktivitetin e tyre dokumentar dhe kushdo mund të hyjë pa kaluar nga kërkesat, zvarritjet, refuzimet. Një pjesë e konsiderueshme e problematikave lidhet thjeshtë dhe vetëm përtacinë burokratike, nuk është një barrikadë për të mbajtur informacion, por është një problematikë funksionimit të brendshëm të funksionimit të administratës. Kjo është e përmirësueshme”, theksoi kryeministri.
Rama i kërkoi Komisionerit për të Drejtën e Informimit të zbatojë me rigorozitet sanksionet ndaj institucioneve që nuk përgjigjen brenda afatit ligjor prej 10 ditësh.
“Ligji është shumë i qartë, 10 ditë është koha për t’u përgjigjur. Ditën e 11, nëse nuk ka përgjigje, ka sanksion. Duhet sanksionuar autoriteti më i lartë përgjegjës. Ne i kemi kërkuar të gjithë ministrave të bëjnë delegimin e kësaj përgjegjësie të sekretarët e përgjithshëm, një pjesë e kanë bërë, një pjesë nuk e kanë bërë akoma. Duhet të sanksionohen ministrat, duhet të sanksionohen sekretarët e përgjithshëm”, deklaroi Rama.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




