Kumbaro takim me Këshillin Kombëtar të Prindërve: Ditën kur mësuesi dhe prindërit të flasin të njëjtën gjuhë, fëmijët do të jenë në duart më të sigurta

Aktualitet | 11 muaj më parë

Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro zhvilloi një takim këshillues me përfaqësues të Këshillit Kombëtar të Prindërve me qëllim forcimin e mekanizmave të komunikimit mes institucioneve arsimore dhe prindërve.

Gjatë fjalës së saj, ministrja Kumbaro u shpreh se sa më të mëdha të jenë përpjekjet e përbashkëta për të përmirësuar këtë komunikim, aq më e lartë do të jetë mirëqenia e fëmijëve dhe aq më e madhe do të jetë siguria e tyre.

“Ky është fillimi i një zinxhiri takimesh, që e gjithë skuadra e Ministrisë së Arsimit, deri në qelizë duhet të intensifikojë me prindërit, për sa i përket rolit të jashtëzakonshëm si prind, por edhe roli që ka komunikimi me institucionet arsimore. Është detyra jonë, por edhe ju si prindër mund të na mbështesni për të gjetur bashkë të tjera rrugë, mënyra se si mund ta ndërtojmë këtë komunikim, në mënyrë që ashtu siç bëjmë me trajnimin e mësuesve, kurrikulat e reja, rishikimin e proceseve, përmirësimin e kushteve nëpër shkolla, ta forcojmë atë edhe me prindërit në nivel rajonal, deri në nivel shkollash. Është e rëndësishme të ndërtojmë një komunitet aktorësh të ndërgjegjësuar se sa i rëndësishëm është ky komunikim, që fëmijët të jenë të rrethuar prej tij dhe të flasim të njëjtën gjuhë. Ditën që mësuesi dhe prindi do flasin të njëjtën gjuhë, është dita kur fëmijët do të jenë në duart më të sigurta”, u shpreh Kumbaro.

Ministrja e Arsimit ka marrë pjesë në disa tryeza për sigurinë e fëmijëve, mbrojtjen nga dhuna online, certifikimin e oficerëve të rinj të sigurisë, ku vazhdimisht ka theksuar rëndësinë e komuniteteve të ndërgjegjësuara të prindërve me qëllim që incidentet dhe rastet e dhunës të mundet të parandalohen.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme