Siguria rajonale, mbyllet Asambleja e SEPCA-s në Vlorë, Proda: Koha që Kosova të anëtarësohet me të drejta të plota

Asambleja e Dytë e Shoqatës së Shefave të Policisë së Evropës Juglindore (SEPCA) ka përmbyllur punimet në qytetin e Vlorës, duke shënuar fundin e presidencës së mbajtur nga Policia e Shtetit Shqiptar.
Takimi i nivelit të lartë mblodhi drejtorët e policive të rajonit për të diskutuar strategjitë e përbashkëta kundër krimit të organizuar dhe sfidave të migracionit.
Në qendër të vëmendjes ishte edhe thirrja e fortë e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ilir Proda, për integrimin e plotë të Kosovës në këtë organizatë.
Sipas njoftimit për shtyp, gjatë diskutimeve, krerët e policive u dakordësuan se SEPCA duhet të funksionojë si një “sistem paralajmërimi i hershëm” për flukset e mundshme të migracionit të parregullt. Temë qendrore ishte lufta kundër trafikimit të drogave të forta dhe goditja e grupeve kriminale me shtrirje ndërkombëtare. Pjesëmarrësit vlerësuan se shkëmbimi i informacionit dhe analizat e përbashkëta janë rruga e vetme për të pasur rezultate konkrete.
Mbështetja për Kosovën
Një moment I rëndësishëm i Asamblesë ishte prania e Drejtorit të Policisë së Kosovës, Kolonel Gazmend Hoxha, në rolin e vëzhguesit. Ai garantoi homologët se Policia e Kosovës zotëron të gjitha kapacitetet operacionale dhe organizative për të qenë pjesë integrale dhe e barabartë e SEPCA-s.
Kjo kërkesë u mbështet edhe nga Drejtues Madhor Ilir Proda.
Gjatë ceremonisë, Proda theksoi nevojën reale që SEPCA ka për të pranuar Policinë e Kosovës si anëtare me të drejta të plota.
“Vetëm duke funksionuar si një organizëm i vetëm, pa barriera dhe pa ndasi, mund të fitohen betejat kundër krimit rajonal dhe atij ndërkombëtar,” u shpreh Proda.
Rotacioni i presidencës
Në përfundim të punimeve u zhvillua ceremonia e dorëzimit të presidencës së radhës te Federata e Bosnjë-Hercegovinës.
Drejtori Proda falënderoi të pranishmit për bashkëpunimin gjatë vitit të presidencës shqiptare, duke siguruar se angazhimi i Tiranës zyrtare do të vijojë të jetë maksimal për të garantuar një partneritet profesional në rajon.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




