Turqia rrëzon dronin që po i afrohej hapësirës ajrore në Detin e Zi

Botë | 11 muaj më parë

Ministria e Mbrojtjes së Turqisë njoftoi sot se një dron i paidentifikuar, që po i afrohej hapësirës ajrore turke nga Deti i Zi dhe që u vlerësua si “jashtë kontrollit”, u rrëzua nga avionët luftarakë F-16.

Incidenti ndodhi në një zonë të sigurt, larg zonave të banuara, për të shmangur rreziqet e mundshme.

Ministria nuk dha detaje mbi modelin, origjinën ose vendndodhjen e saktë të rrëzimit të dronit.

Ky incident vjen në një periudhë tensionesh në rritje në Detin e Zi, mes përshkallëzimit të luftimeve mes Rusisë dhe Ukrainës.

Ankara ka kritikuar të dyja palët për sulmet që kërcënojnë sigurinë e lundrimit. Më 16 dhjetor, Presidenti turk Recep Tayip Erdoğan deklaroi në Ankara se sulmet e fundit kërcënojnë seriozisht sigurinë e lundrimit në rajon.

“Sulmet ndaj anijeve tregtare dhe civile nuk i shërbejnë askujt”, tha Erdoğan, duke shtuar se Turqia u ka përcjellë paralajmërimet e qarta të dyja palëve (Rusisë dhe Ukrainës), pa përmendur drejtpërdrejt rrëzimin e dronit.

Pak ditë më parë, Ukraina akuzoi Rusinë se goditi me dron anijen turke të ngarkesës Viva, që transportonte vaj luledielli nëpër korridorin e Detit të Zi.

Anija po lundronte drejt Egjiptit dhe nuk pati të plagosur mes 11 anëtarëve turq të ekuipazhit.  Rusia shpesh kryen sulme masive me dronë dhe raketa ndaj porteve ukrainase, duke goditur shpesh anije civile.

Në fund të nëntorit, Turqia kritikoi Ukrainën pas sulmeve me dronë detarë ukrainas ndaj dy tankerëve rusë të “flotës hije” (Kairos dhe Virat), të sanksionuar, pranë brigjeve turke.

Turqia, si vendi i vetëm anëtar i NATO-s që kontrollon ngushticat e Bosforit dhe Dardaneleve, ka ruajtur kontakte të drejtpërdrejta me Kievin dhe Moskën që nga pushtimi rus i plotë në 2022-n.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme