BE sinjalizon heqjen e masave ndaj Kosovës

Ministrat për çështjet evropiane të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian kanë konfirmuar gatishmërinë për të vijuar heqjen e masave të mbetura ndaj Kosovës, pasi është konstatuar transferimi i rregullt i qeverisjes vendore në katër komunat veriore.
Megjithatë, ende nuk ka konfirmim për afatin kohor të heqjes së masave, as nëse ajo do të jetë e plotë apo graduale.
Sipas burimeve jozyrtare, Komisioni Evropian është i gatshëm të heqë gjysmën e masave, por kjo nuk pritet të ndodhë para zgjedhjeve të 28 dhjetorit, për shkak të mungesës së vullnetit politik nga disa shtete anëtare gjatë fushatës zgjedhore, transmeton RTK.
Në konkluzionet e takimit ministror, shtetet anëtare përshëndesin mbarëvajtjen e zgjedhjeve të përgjithshme të shkurtit dhe atyre lokale të vjeshtës në Kosovë, ndërsa shprehin shqetësim për ngërçin e zgjatur politik. Theksohet rëndësia që edhe zgjedhjet e dhjetorit të administrohen mirë dhe të jenë gjithëpërfshirëse, si dhe shprehet keqardhje për përpjekjet për të politizuar punën e KQZ-së.
BE-ja riafirmon përkushtimin ndaj dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke kërkuar përmbajtje nga veprimet provokuese dhe retorika përçarëse. Po ashtu, konfirmohet gatishmëria e shefes së diplomacisë evropiane, Kaja Kallas, për të thirrur një takim të liderëve sapo të krijohen kushtet e nevojshme.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




