Anëtarët e jurisë së Fest 64 me mesazhe të ndryshme, apel për fëmijët dhe vlerësim për organizimin
Në natën e dytë të Festivalit të 64 të Këngës në RTSH, anëtarët e jurisë ndanë mesazhe të ndryshme, duke sjellë reflektime sociale, vlerësime për organizimin dhe mendime mbi procesin e vlerësimit artistik.
Belina Budini: Vlerësimi kërkon ndjeshmëri të lartë. Larmishmëria në juri, garanci për objektivitet
Anëtarja e jurisë Belina Budini solli një reflektim më teknik dhe profesional mbi procesin e vlerësimit në festival, duke theksuar kompleksitetin e tij.
“Përvoja e vlerësimit në festival është unike… Këtu jemi në një mjedis publik shumë më kompleks ku ndajmë emocione, ndaj nevojitet një ndjeshmëri e lartë për të vlerësuar jo vetëm kompozimin dhe performancën, por edhe rezonancën emocionale me publikun, kjo është parësore për ne,” tha Budini.
Ajo shtoi se larminë e ekspertizave në juri e sheh si një garanci për cilësi dhe objektivitet
“Ne kemi fusha ekspertize të larmishme në juri, dhe kjo është një pikë e fortë. Të qenit të ndryshëm është garanci për cilësi, objektivitet dhe gjykim të drejtë”, shtoi ajo.
Anila Basha mesazh: Prindër, angazhohuni për fëmijët tuaj!
Anila Basha dha një mesazh të fortë social, duke e përdorur skenën e festivalit si platformë për të bërë apel për mbrojtjen dhe edukimin e fëmijëve.
“Do të duhet ta shfrytëzojmë këtë skenë për të bërë një apel të madh për shoqërinë tonë. Duhet të kthejmë sytë te fëmijët tanë. Prindër, ju lutem angazhohuni për fëmijët tuaj! Hiqini nga kompjuterët, celularët, jepuni aktivitete kulturore, sportive, edukative,” tha ajo, duke theksuar se kultura dhe festivali duhet të jenë pjesë e formimit të brezave.
Bleona Qerreti vlerëson organizimin e Fest 64: Jam pa fjalë, skenografi fantastike dhe orkestër brilante
Këngëtarja Bleona Qerreti u ndal te cilësia artistike dhe organizative e Fest 64, duke vlerësuar skenografinë dhe Orkestrën e RTSH‑së.
“Jam thellësisht e surprizuar. Ka një skenografi fantastike dhe Orkestra e Radio Televizionit Shqiptar është ndër më të mirat e muzikës shqiptare. Jam realisht pa fjalë. Bravo RTSH dhe organizatorëve. Jam e nderuar që jam pjesë e kësaj jurie, sidomos në 30‑vjetorin e karrierës time,” u shpreh ajo.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




