“The Show Must Go On” – Orkestra Simfonike e RTSH-së, koncert gala ku muzika bashkon brezat

Kulturë | 11 muaj më parë

Pallati i Kongreseve do të vishet me muzikë dhe emocione, ndërsa Orkestra Simfonike e RTSH-së ngjitet në skenë për një koncert gala që premton një udhëtim të rrallë përmes kryeveprave të muzikës botërore.

Nën dirigjimin e Armand Broshkës, publiku do të përjetojë një mbrëmje ku tingulli, kujtesa dhe ndjenja bashkohen në një gjuhë të vetme: muzikën.

“Është hera e parë që konceptojmë një gala të tillë. E kemi menduar me shumë kujdes. Do të interpretohen hitet më të mira botërore, këngë dhe materiale të tjera muzikore shumë të njohura,” tha drejtoresha e Orkestrës.

Në këtë mbrëmje gala, publiku do të shijojë edhe performancat e Kamela Islamaj, Martin Pano dhe sopranos Erinda Agolli, të cilët me interpretimet e tyre i japin koncertit ngjyra të veçanta,

Repertori i zgjedhur ndërthur elegancën klasike me fuqinë e kolonave zanore dhe energjinë e muzikës moderne.

Nga “Valsi i dashurisë” i Eugen Doga-s, tek emocioni i paharrueshëm i “Chi mai” nga Ennio Morricone, muzika do të rrjedhë si një rrëfim i butë që zgjon nostalgji dhe ëndrra.

Ndalesa të veçanta do të jenë edhe te kolonat zanore ikonike si “Gladiatori” i Hans Zimmer, që mbart dramë dhe madhështi.

Momente kulmore priten edhe me interpretimet korale dhe vokale, ku muzika rock dhe pop merr një dimension simfonik. “Nothing Else Matters”, “November Rain”, “The Ecstasy of Gold” dhe “Heal the Ëorld” do të vijnë si një bashkim emocionesh mes orkestrës, korit dhe zërave solistë, duke krijuar një dialog të fuqishëm mes brezave dhe stileve.

Koncerti mbyllet me emocione të forta, aty ku muzika bëhet mesazh dhe kujtim, me “The Shoë Must Go On”, një himn për fuqinë e artit dhe vazhdimësinë e tij.

Një mbrëmje gala që nuk është thjesht koncert, por një përqafim muzikor mes orkestrës dhe publikut, një festë e vërtetë e tingullit dhe shpirtit.

Gazetare: Xhilda Kondi

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme