Nisin kontrollet për lëndët piroteknike, reparti MZSH Shkodër thirrje subjekteve të zbatojnë ligjin
Shërbimi zjarrfikës në Shkodër, prej datës 18 dhjetor, ka nisur kontrollet në subjektet që tregtojnë lëndë piroteknike.
Shefi i Sektorit të Parandalimit, Gazmend Muçmeraj, tregon mbi dokumentacionin që subjektet duhet të kenë për të ushtruar këtë aktivitet.
“Janë pajisur me dokumentacion përkatës përsa i përket shërbimit zjarrfikës. Me miratimet e projekteve kundër zjarrit dhe lëshimin e certifikatës kundrejt zbatimit të këtij projekti. Këto biznese kanë certifikatat e zjarrit, në ambientet e tyre kanë pajisjet dhe mbrojtjet kundër zjarrit” – u shpreh shefi i Sektorit të Parandalimit, MZSH Shkodër, Gazmend Muçmeraj.
Por, sipas drejtorit të Repartit Zjarrfikës, krahas dokumentacionit, subjektet duhet të respektojnë në mënyrë rigoroze edhe moshën e personave të cilëve u tregtohen këto produkte.
Ndërsa drejtori i MZSH Shkodër, Agim Ponari, u shpreh se “Grupi F1 mund të përdoret edhe për fëmijët mbi 12 vjeç, nuk paraqesin rrezik, mjafton që të hidhen në hapësirat e jashtme. Ndërsa grupet e tjera duhet të jenë mbi 18 vjeç përdoruesit e tyre. Nëse shitësit ambulantë që tregtojnë këto lëndë piroteknike nën kësaj moshe dhe konstatohet nga grupet e përdorimit në terren, do të mbajnë përgjegjësi ligjore.”
Krahas Repartit Zjarrfikës, përgjegjësi kanë edhe institucione të tjera, si Inspektorati Teknik, Tatim-Taksat dhe Krimi Ekonomik, për të mbikëqyrur origjinën, dokumentacionin dhe tregtimin e lëndëve piroteknike gjatë periudhës së fundvitit.
Gazetare: M. Gjoni
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




