Banesën me qira e shndërroi në shtëpi bari, arrestohet i riu dhe punonjësi i OSHEE

Aktualitet | 10 muaj më parë

Kishte shndërruar shtëpinë e marrë me qira në Velipojë në një laborator për kultivimin e bimëve narkotike me anë të llambave, por u arrestua në flagrancë nga policia një 22-vjeçar nga Vau i Dejës.

Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër kanë zhvilluar operacione të njëpasnjëshme për evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike me anë të llambave.

Policia njofton se operacioni policor i koduar “Neonët 4” ka hyrë në fazën e katërt, duke çuar në shtatë numrin e ambienteve të zbuluara dhe të goditura deri më tani nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër.

Gjatë aksionit u arrestua i riu Gj. B., ndërsa në pranga ra edhe një punonjës i OSHEE-së.

Dy punonjës të tjerë të këtij institucioni, A. U., 50 vjeç, dhe Gj. T., 59 vjeç, u proceduan penalisht për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim.

Gjithashtu, u ndalua shtetasi R. V., 25 vjeç, banues në Shkodër.

Nga kontrollet e ushtruara në banesën e përshtatur në Velipojë, policia gjeti dhe sekuestroi 308 bimë të dyshuara kanabis, 85 gramë të kësaj lënde të tharë, 122 pajisje elektrike që shërbenin për kultivimin e bimëve narkotike dhe 4 celularë. Ndërkohë, në banesën e shtetasit R. V. u sekuestruan 3 llamba dhe një përforcues grushti.

Operacioni u zhvillua në kuadër të planit të masave për evidentimin dhe goditjen e kultivimit të bimëve narkotike në ambiente të mbyllura, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative.

Në aksion morën pjesë shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër, Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, Forca Operacionale dhe “Shqiponjat”. Policia bën të ditur se puna intensive për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale vijon, ndërsa materialet procedurale i janë kaluar Prokurorisë së Shkodrës për veprime të mëtejshme.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme