Ari në rekord historik, tejkalon vlerën prej 4 500 dollarë për ons
Ari ka shënuar një rekord të ri historik, duke arritur nivelin 4 mijë e 525 dollarë për ons. Rritja ishte rreth 1 për qind dhe lidhet me tensionet në rritje mes Shteteve të Bashkuara dhe Venezuelës.
Një tjetër faktor janë pritshmëritë për ulje të mëtejshme të normave të interesit në SHBA. Pas këtij kulmi, mëngjesin e sotëm çmimi i arit u stabilizua rreth 4 mijë e 495 dollarë për ons.
Në baza vjetore, ari ka shënuar një rritje të fortë prej rreth 72 për qind. Në të njëjtën linjë, edhe argjendi është rritur me më shumë se 1 për qind. Ai ka arritur në 72 dollarë për ons, niveli më i lartë i regjistruar ndonjëherë.
Gjatë 12 muajve të fundit, rritja e argjendit ka qenë rreth 144 për qind. Analistët thonë se investitorët po orientohen gjithnjë e më shumë drejt aktiveve të sigurta. Kjo vjen nga shqetësimet për ngadalësimin e ekonomisë globale.
Ndikim kanë pasur edhe pritjet për ulje të normave të interesit në vitin 2026.
Ndërkohë, tensionet mes Uashingtonit dhe Karakasit janë shtuar pas masave ndaj dërgesave të naftës nga Venezuela.
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka deklaruar se të ardhurat nga nafta përdoren për emigracion të paligjshëm dhe trafik droge. Sipas ekspertëve, edhe blerjet e shtuara të arit nga bankat qendrore po e mbajnë tregun nën presion të vazhdueshëm.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




