Berisha nga Korça: PD e pamposhtur përballë regjimit, Rama ka asgjësuar zgjedhjet e lira

Politikë | 10 muaj më parë

Në një takim me qytetarët dhe strukturat e Partisë Demokratike në Korçë, kryetari Sali Berisha ka përçuar akuza të drejtpërdrejta ndaj qeverisë Rama. Takimi, i cili përkoi me 35-vjetorin e themelimit të degës së PD në këtë qytet, shërbeu si platformë për të denoncuar atë që Berisha e cilësoi si “asgjësim të zgjedhjeve të lira” dhe lidhje të shtetit me krimin e organizuar.

Sirenat nga Uashingtoni

Një nga pikat kryesore të fjalimit ishte referenca ndaj qëndrimit ndërkombëtar. Berisha deklaroi se tashmë situata ka ndryshuar dhe se korrupsioni qeveritar po alarmin partnerët strategjikë.

“I dëgjoni tani sirenat e alarmit që bien nga Uashingtoni për korrupsionin e qeverisë së Ramës dhe lidhjes së saj me krimin?” pyeti Berisha.

Sipas tij, opozita ia ka dalë të faktojë para botës se Rama është “armik i votës së lirë”.

Akuzat për “masakër zgjedhore”

Lideri demokrat bëri edhe një analizë të mekanizmave që, sipas tij, “mbajnë Edi Ramën në pushtet”.

Ai akuzoi qeverinë se ka përdorur 2 miliardë euro gjoba dhe kamata të falura vetëm dy ditë para zgjedhjeve për të blerë rezultatin.

“Zgjedhjet, sigurisht që ishin një traumë e vërtetë, sepse Edi Rama, për të dhunuar procesin, vetëm dy ditë para zgjedhjeve përdori 2 miliardë euro gjoba dhe kamata. Me 2 miliardë euro gjoba dhe kamata të falura, ai shkatërron jo vetëm zgjedhjet e një kombi me 1.5 milionë votues, por edhe të 4 apo 5 milionë votuesve. Edi Rama nuk do t’i fitonte kurrë zgjedhjet po të mos bënte listat me 28 deputetë nga bandat dhe kartelet e drogës, si Troplinët, Çelajt e të tjerë.”, tha Berisha.

Duke bërë bilancin e 35 viteve, Berisha pranoi se PD ka pasur gabime dhe të meta gjatë rrugëtimit të saj, por theksoi se ajo mbetet forca e vetme që nuk u dorëzua përballë përpjekjeve për asgjësim.

“Ne absolutisht në historinë tonë kemi pasur gabime, kemi pasur të meta, kemi pasur defekte, i kemi njohur ato, por një mësim nuk e ka nxjerrë ai. Ne jemi të pamposhtur. Jemi të pamposhtur. Ne jemi të pamposhtur. Edhe, ne jua kemi provuar. Ne jua kemi provuar shqiptarëve. Ne, kur ai ka nxjerrë tanket, ne u kemi vënë flakën tankeve të tij. Kur ai na izoloi, bëri gjithçka, ne triumfuam dhe shiheni ku është dhe ku do të përfundojë ai sot. Ne jemi parti e paqes. Paqja është forca jonë, por jemi të pamposhtur.”, tha Berisha.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme