Kina qëllon raketa pranë Tajvanit në ditën e dytë të stërvitjeve ushtarake

Kina ka intensifikuar stërvitjet ushtarake rreth Tajvanit, duke qëlluar raketa në ujërat veriorë dhe jugorë të ishullit në ditën e dytë të manovrave të mëdha që synojnë të testojnë një bllokadë të mundshme. Ushtria kineze ka vendosur anije sulmi amfibe, avionë bombardues dhe njësi luftarake detare, në atë që Pekini e ka cilësuar si një “paralajmërim të ashpër” ndaj forcave separatiste dhe ndërhyrjes së jashtme.
Komanda e Teatrit Lindor të Ushtrisë Çlirimtare Popullore publikoi pamje të një raketëhedhësi të lëvizshëm PCH-191 që qëllonte drejt detit, duke konfirmuar se raketat u lëshuan në disa zona përreth Tajvanit. Njësitë detare dhe ajrore gjithashtu simuluan sulme ndaj objektivave në det dhe ajër, si dhe operacione anti-nëndetëse.
Stërvitjet, të quajtura “Misioni i Drejtësisë 2025”, janë më të mëdhatë sipas zonës së mbuluar dhe më të afërtat deri më tani me Tajvanin. Ato përfshijnë përdorimin e shkatërruesve, fregatave, avionëve luftarakë dhe bombarduesve. Manovrat filluan vetëm 11 ditë pasi Shtetet e Bashkuara njoftuan një paketë rekord armësh prej 11.1 miliardë dollarësh për Tajvanin, duke shtuar tensionet mes Pekinit dhe Uashingtonit.
Një zyrtar i lartë i inteligjencës së Tajvanit tha se ushtria kineze duket se po praktikon goditjen e objektivave tokësore, përfshirë sistemin raketor amerikan HIMARS, i cili ka një rreze veprimi prej rreth 300 km dhe mund të godasë objektiva bregdetare në Kinën jugore.
Presidenti i Tajvanit, Lai Ching-te, deklaroi se trupat janë të përgatitura për të mbrojtur ishullin, por se Taipei nuk synon të përshkallëzojë situatën. Ministria e Mbrojtjes raportoi se gjatë 24 orëve të fundit, deri në orën 6 të mëngjesit sipas orës lokale, rreth 130 avionë ushtarakë kinezë dhe 22 anije luftarake kanë operuar pranë Tajvanit.
Autoriteti i Aviacionit Civil njoftoi se 11 nga 14 itineraret e fluturimeve të brendshme u prekën nga stërvitjet, por asnjë fluturim ndërkombëtar nuk u anulua. Megjithatë, rrugët detare drejt ishujve Kinmen dhe Matsu, pranë bregdetit të Kinës, janë bllokuar, duke prekur rreth 6,000 pasagjerë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




