Reshjet e dendura të shiut në Lezhë sjellin përmbytje dhe vështirësi në qarkullim. Pezullohet mësimi në një shkollë 9-vjeçare

Reshjet e dendura të shiut, të rëna gjatë orëve të natës, kanë shkaktuar probleme të shumta në qytetin e Lezhës. Si pasojë e prurjeve të larta, rrjeti i kanalizimeve nuk ka arritur t’i përballojë, duke sjellë përmbytje në lagjen “Besëlidhja”.
Niveli i ujit ka arritur deri në 40 centimetra, duke bllokuar hyrjet e pallateve dhe duke vështirësuar lëvizjen e qytetarëve dhe të automjeteve. Situata ka krijuar shqetësim për banorët e zonës, të cilët janë përballur me vështirësi gjatë orëve të para të mëngjesit.
Ndërkohë, për shkak të prezencës së ujit në ambientet e jashtme, është pezulluar procesi mësimor në shkollën 9-vjeçare “Kosova” në Lezhë.
Po ashtu, raportohet rritje e ndjeshme e prurjeve në lumenjtë Drin dhe Gjadër, të cilët ndodhen në kuota kritike, ndërsa autoritetet po monitorojnë situatën nga afër.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




