Reforma në pronësinë industriale, Qeveria gati ligjin e ri “Për Disenjot”, ndryshojnë rregullat e lojës për biznesin

Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, përmes Drejtorisë së Përgjithshme të Pronësisë Industriale (DPPI), ka hedhur për konsultim dhe ka bërë gati projektligjin e ri “Për Disenjot”. Ky draft shënon një reformë rrënjësore në fushën e pronësisë intelektuale, duke e trajtuar për herë të parë disenjon me një ligj të veçantë, të ndarë nga ligji ekzistues “Për Pronësinë Industriale” i vitit 2008.
Qëllimi kryesor i kësaj nisme është modernizimi i kuadrit ligjor dhe përafrimi i plotë me standardet më të fundit evropiane, konkretisht me “Paketën e Reformës Legjislative për Disenjot” të Bashkimit Evropian të miratuar në tetor-nëntor 2024.
Çfarë ndryshon për biznesin?
Projektligji synon të sigurojë një mbrojtje më të fortë dhe më të shpejtë për krijuesit dhe bizneset. Një nga risitë më të rëndësishme është futja e “klauzolës së riparimit” (repair clause), e cila bëhet e detyrueshme sipas direktivës së re të BE-së. Kjo klauzolë pritet të ketë impakt të ndjeshëm në tregje specifike, si ai i pjesëve të këmbimit, duke liberalizuar përdorimin e pjesëve të dukshme për qëllime riparimi.
Gjithashtu, ligji rregullon sistemin e regjistrimit të disenjove ndërkombëtare përmes sistemit të Hagës (WIPO), duke lehtësuar procedurat për kompanitë shqiptare që duan të mbrohen jashtë, dhe anasjelltas.
Konfliktet kalojnë në Gjykatë
Një ndryshim thelbësor procedural lidhet me kundërshtimet për regjistrim. Nëse deri më tani përplasjet për “shkaqe relative” (kur një disenjo e re bie ndesh me një të drejtë të mëparshme) zgjidheshin edhe në rrugë administrative pranë DPPI-së, me ligjin e ri kjo kompetencë i kalon Gjykatës Administrative.
Kjo bëhet për të thjeshtuar dhe përshpejtuar procedurën e regjistrimit administrativ, ndërsa betejat ligjore për të drejtat e pronësisë do të zhvillohen në gjyqësor.
Lufta kundër piraterisë
Projektligji parashikon masa të ashpra kundër shkelësve të të drejtave. Ai u jep fuqi mbajtësve të disenjove të kërkojnë bllokimin e produkteve cenuese, sekuestrimin e materialeve dhe pajisjeve që shërbejnë për prodhimin e tyre, si dhe dëmshpërblim për dëmin e shkaktuar.
„Kjo synon të pastrojë tregun nga produktet pirate që dëmtojnë si biznesin e ndershëm, ashtu edhe konsumatorin“, thuhet në projektligj.
Në relacionin shpjegues theksohet se ky ligj nuk do të sjellë kosto shtesë për buxhetin e shtetit dhe as rritje tarifash për shërbimet që ofron DPPI, por synon vetëm rregullim dhe qartësim të procedurave.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




