Niveli i Vjosës arrin 7.5 metra në Memaliaj, Policia raporton mbi gjendjen e rrugëve në qarkun Gjirokastër

Aktualitet | 10 muaj më parë

Policia e Qarkut Gjirokastër ka njoftuar mëngjesin e sotëm mbi situatën më të fundit të krijuar në territor si pasojë e reshjeve të ditëve të fundit.

Sipas informacioneve të Drejtorisë Vendore të Policisë,  deri në orën 06:00 , disa segmente rrugore kanë pësuar probleme në qarkullim, ndërsa janë marrë masa për menaxhimin e trafikut dhe rikthimin e normalitetit.

Situata në aksin rrugor Tepelenë – Gjirokastër, pranë “Shkallës së Zezë”, paraqitet e vështirë për shkak të shkarjes së dherave, duke e bërë të kalueshëm vetëm me një sens.

Firma kontraktore ndodhet në terren dhe po punon për hapjen e plotë të këtij segmenti, ndërsa Policia e Qarkullimit Rrugor është e pranishme gjatë gjithë kohës për të menaxhuar qarkullimin dhe për të garantuar sigurinë e drejtuesve të mjeteve.

Ndërkohë, aksi rrugor Përmet – Çarshovë është në normalitet dhe pa probleme në qarkullim.

Nga ana tjetër, OSHEE ka njoftuar se Njësia Administrative Lunxheri ka mbetur pa energji elektrike për shkak të rrëzimit të një shtylle.

Po merren masat e duhura për zëvendësimin e saj, ndërsa ndërprerje të energjisë janë regjistruar edhe në disa fshatra malore të bashkive Gjirokastër, Tepelenë dhe Memaliaj.

Reshjet e shiut kanë pushuar në të gjithë territorin e qarkut, duke sjellë një përmirësim të dukshëm të kushteve atmosferike.

Megjithatë, niveli i lumit Vjosë në pikëmatjen e urës së Memaliajt ka arritur në 7.5 metra, duke u monitoruar nga autoritetet për çdo zhvillim të mëtejshëm.

Autoritetet lokale, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë dhe OSHEE, vijojnë punën për normalizimin e situatës dhe rikthimin e plotë të kushteve të sigurisë dhe furnizimit me energji elektrike në të gjithë qarkun.

Situata mbetet nën vëzhgim të vazhdueshëm dhe qytetarët këshillohen të tregojnë kujdes në lëvizjet e tyre, veçanërisht në segmentet problematike të rrugëve.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme