Përmbytjet-Balluku: Të gjitha akset kombëtare funksionale, problematika vetëm në zonat rurale

Aktualitet | 10 muaj më parë

Është mbledhur sot Komiteti i Emergjencave Civile, ku zëvendëskryeministrja Belinda Balluku bëri një përditësim mbi situatën e krijuar nga moti i keq në vend.

Balluku tha se situata e energjisë elektrike është përmirësuar në zonat e prekura. Ministrja theksoi se janë angazhuar mbi 1 600 punonjësve në terren  në zonat më të prekura, duke menaxhuar situatën si në jug ashtu edhe në veri të vendit.

“Në zonat malore kemi pasur disa shkëputje, kryesisht në Kukës dhe Librazhd, por të gjitha janë rikthyer në funksion në kohë rekord. Sipas raportimeve të ditës së sotme, të gjitha linjat janë funksionale dhe nuk kemi asnjë problematikë sa i përket transmetimit të energjisë elektrike”, u shpreh Balluku.

Sa i përket tensionit të mesëm dhe të ulët, zëvendëskryeministrja theksoi se dita e djeshme ka qenë kulmore për problematikat e shkaktuara nga kushtet atmosferike. Sipas saj, gjatë pikut të situatës janë prekur nga ndërprerjet 38 mijë e 731 abonentë, ndërsa aktualisht pa energji elektrike janë 19 mijë e 175 abonentë.

“Synimi është që në orët në vijim të rikuperohen të gjitha këto ndërprerje”, tha ajo.

Balluku bëri me dije se të gjitha nënstacionet në rang vendi janë funksionale, me përjashtim të dy stacioneve ai i Kafarajt dhe ai i Poçemit ku vijon të ketë prezencë të konsiderueshme uji.

Në lidhje me infrastrukturën, ajo theksoi se të gjitha akset rrugore kombëtare janë funksionale, ndërsa problematika mbeten vetën në zona rurale. Ministrja nënvizoi se edhe “Aeroporti i Rinasit vijon operimin normal, megjithëse ka pasur disa devijime fluturimesh për shkak të stuhisë. Edhe Porti i Durrësit është funksional, ndërsa për ditën e sotme pritet rritje e shpejtësisë së erës në Ultësirën Perëndimore, çka mund të vështirësojë lundrimin detar”.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme