Bie niveli i prurjeve në Vjosë, dëbora krijon probleme me qarkullimin në Llogora

Aktualitet | 10 muaj më parë

Bie niveli i prurjeve në Vjosë, ujërat kanë nisur të tërhiqen, ndërsa të mbuluara nga uji janë 80 banesa në fshatin Ferras. Gjatë mbrëmjes u ndërhy për të evakuuar banorët e fshatit Martin, ku uji arriti në 30 centimetra. Sipas Emergjencave Civile në Prefekturën Fier, 200 hektarë toka bujqësore ndodhen nën ujë dhe 18 persona janë evakuuar.

Qarkullimi në zonën e Llogorasë ka probleme për shkak të borës së rënë dhe ngricave në rrugë. Policia u bën thirrje qytetarëve të jenë të kujdesshëm. Nga ana tjetër, në tunelin e Llogorasë mëngjesin e sotëm ka mungesë të energjisë elektrike.

Në Durrës janë evakuuar deri tani 800 banorë, të cilët janë akomoduar në hotele. Në tre ditë pune, grupet e verifikimit kanë inspektuar 1,312 banesa, dhe në 527 prej tyre janë mbajtur akt-konstatimet përkatëse.

Në qarkun Lezhë, në njësinë administrative Fushë Kuqe ka rritje të nivelit të ujërave si pasojë e çarjes së argjinaturës.

Në juglindje të vendit, për shkak të reshjeve të dëborës, afro 2,000 familje janë pa energji, kryesisht në zonat rurale të qarkut Korçë. Argjinatura e lumit Devoll vijon të jetë e çarë; 3,600 ha tokë bujqësore në Fushën e Maliqit ndodhen nën ujë. Aksi Qafë Plloçë – Qukës mbetet i bllokuar, ndërsa vijon puna për pastrimin e inerteve.

Nivelet e ujit në lumenjtë Bunë dhe Drin mbeten të kontrolluara. Sipërfaqja e përmbytur në qarkun Shkodër llogaritet 221 ha, ndërsa nuk ka asnjë banesë të përmbytur apo me prezencë uji.

Në njësinë administrative Ana e Malit, rruga e Obotit është e kalueshme vetëm me mjete të larta; niveli i ujit mbi rrugë arrin mbi 40 cm.

Në qarkun Gjirokastër, situata sot është më e përmirësuar. Probleme raportohen në rrugën Përmet–Carshovë, ndërsa aksi rrugor Përmet – Dogana e Tre Urave është i bllokuar për shkak të çarjes së trupit të rrugës në hyrje të fshatit Petran.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme