Banorët e Ferrasit të tronditur: Na erdhi lumi menjëherë, na mori gjithçka, ushqimet janë nën ujë

Aktualitet | 10 muaj më parë

Dalja e ujërave të Vjosës nga shtrati ka shkaktuar përmbytje të mëdha në Fier dhe Mallakastër, duke lënë qindra hektarë tokë bujqësore dhe dhjetëra banesa nën ujë.

Situata më e rëndë është në fshatin Ferras, ku pothuajse gjysma e fshatit është e mbuluar nga uji.

Përmbytja i ka gjetur banorët tërësisht të papërgatitur, sikurse tregojnë për gazetaren e RTSH , Laureta Roshi, banorët shprehet se  “na erdhi lumi menjëherë, nuk e prisnim. Zumë dyert, por kaloi mbi 1 metër, kaloi mbi pritën që kishin bërë. Nuk po na shikojnë me sy. Ushqimet e mia janë nën ujë. Kuzhina ka rënë nga lagështira”, rrëfen një banor i zonës, duke treguar dëshpërimin e tij.

Ajo tregon se shumë familje nuk u larguan nga banesat, edhe pse niveli i ujit arriti mbi një metër.

Ata u përpoqën të shpëtonin çfarë të mundnin dhe të mos linin vetëm bagëtitë, të cilat i nxorën në rrugë.

Një tjetër banor shprehet i tronditur: “Uji na hyri në shtëpi, na mori gjithçka. Nuk kemi ku të shkojmë, jemi të detyruar të qëndrojmë këtu”.

Komisionet e verifikimit të dëmeve kanë dalë në terren që në mëngjes për të evidentuar pasojat. Banorët shpresojnë në përfitimin e dëmshpërblimeve, duke pohuar se kjo përmbytje është shumë më e rëndë se ato të mëparshmet.

“Kjo herë është më e madhe se çdo përmbytje tjetër që kemi parë. Uji na ka marrë gjithçka”, thotë një banor i Ferrasit.

Në disa banesa niveli i ujit arrin deri në 40 centimetra, duke e bërë të pamundur hyrjen. Sipas emergjencave civile, në Prefekturën e Fierit janë nën ujë 200 hektarë tokë bujqësore, ndërsa 18 persona janë evakuuar.

Ekipet e emergjencave dhe punonjës të bashkisë pritet të ndërhyjnë me mjete të rënda për pastrimin e kanaleve anës rrugëve të brendshme të fshatit, bllokimi i të cilëve nuk lejon largimin e ujit.

Ndërkohë, niveli i prurjeve në Vjosë ka nisur të bjerë dhe ujërat po tërhiqen gradualisht.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme