Moska bëhet mburojë për Teheranin, Shoigu dhe Larijani pakt për sigurinë kundër “ndërhyrjeve të huaja”

Ndërsa Teherani zyrtar është përfshirë në një përplasje diplomatike me fuqitë perëndimore, Rusia ka nxituar të ofrojë mbështetjen e saj strategjike për Republikën Islamike.
Pasditen e sotme, Sekretari i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Rusisë, Sergei Shoigu, ka zhvilluar një bisedë telefonike me homologun e tij iranian, Ali Larijani. Në fokus të diskutimit ishin protestat që po tronditin Iranin dhe reagimi ndërkombëtar ndaj tyre.
Sipas agjencisë ruse RIA Novosti, e cila citon Këshillin e Sigurisë së Rusisë, dy zyrtarët e lartë ranë dakord të forcojnë bashkëpunimin në këtë periudhë krize.
“Palët ranë dakord të vazhdojnë kontaktet e ngushta dhe të koordinojnë qëndrimet e tyre për të garantuar sigurinë në rajon,” thuhet në njoftimin zyrtar.
Gjatë bisedës me Larijanin, Shoigu përcolli qëndrimin e Moskës lidhur me trazirat e brendshme në Iran. Rusia ka dënuar ashpër atë që e quan “përpjekje për të ndërhyrë në punët e brendshme të Iranit”, duke iu referuar hapur mbështetjes që shtetet perëndimore u kanë dhënë protestuesve iranianë.
Ky koordinim i nivelit të lartë Rusi-Iran vjen në të njëjtën ditë kur Teherani thirri ambasadorët e Francës, Gjermanisë, Italisë dhe Britanisë së Madhe për t’u dorëzuar notë proteste, duke sinjalizuar një ndarje të thellë gjeopolitike lidhur me krizën iraniane.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




