113-vjetori i Policisë së Shtetit, Qefalia: Garant i paqes dhe sigurisë. Të forcojmë mbështetjen dhe rolin e këtij institucioni

Aktualitet | 10 muaj më parë

Në kuadër të 113-vjetorit të krijimit të Policisë së Shtetit, Zv.Ministri i Brendshëm, Xhemal Qefalia, vlerësoi rëndësinë e këtij institucioni për garantimin e sigurisë dhe rendit në Shqipëri.

Qefalia theksoi se historia e Policisë së Shtetit është një histori përpjekjesh të pandërprera për të përballuar sfida të ndryshme në zhvillimet shoqërore dhe politike të vendit. Ai shtoi se Policia ka qenë gjithmonë një garant i paqes, duke u përballur me situata të ndërlikuara.

Në fjalën e tij, Zv.Ministri vuri theksin në sakrificat e jashtëzakonshme të punonjësve të policisë, të cilët, siç tha ai, kanë dhënë edhe jetën për të shpëtuar jetët e qytetarëve.

“Sot, kujtojmë 113-vjetorin e krijimit të këtij institucioni kaq të rëndësishëm për shoqërinë dhe sigurinë. Historia e këtij institucioni është një histori përpjekjesh të pandërprera dhe përballje me sfida të vështira në zhvillimet shoqërore dhe politike. Përgjatë këtyre viteve, institucioni ka qenë një garant i paqes dhe rendit në qytet, duke u përballur me ditë të qeta dhe momente krizash.

Sakrificat e policisë së shtetit janë sublime. Efektivët kanë shkuar deri në dhënien e jetës për të shpëtuar jetën e të tjerëve, dhe kjo është një vlerë e lartë morale e këtij institucioni. Ne e nderojmë sot kujtimin e tyre përpara dëshmorëve të Policisë së Shtetit”, tha ai.

Ai gjithashtu theksoi se Policia e Shtetit është në një proces transformimi institucional, duke u modernizuar dhe orientuar drejt standardeve evropiane. Qefalia nënvizoi se mbështetja e qeverisë për Policinë e Shtetit do të vijojë me investime në trajnim, teknologji dhe mirëqenie, me qëllimin për të forcuar këtë institucion dhe për të ngritur sigurinë në nivele të standardeve evropiane.

“Sot, Policia e Shtetit është në transformim institucional, më moderne dhe më të orientuar drejt standardeve evropiane, falë punës së strukturave dhe punonjësve të saj. Nuk mund të harrojmë gjithashtu kontributin e partnerëve tanë. Lufta kundër korrupsionit dhe garantimi i rendit dhe sigurisë në shërbim të qytetarëve është prioriteti ynë, si dhe forca për të rritur besimin e qytetarëve në Policinë e Shtetit.

Përkushtimi dhe këmbëngulja e thellë e policisë, që edhe në kushtet më të vështira kanë garantuar rend dhe siguri për çdo familje shqiptare, është frymëzuese. Mbështetja e qeverisë për policinë do të vijojë me intensitet të lartë, përmes investimeve në trajnim, teknologji dhe mirëqenie, me qëllimin për të forcuar këtë institucion dhe për të përmirësuar sigurinë, duke e ngjitur atë në nivele të standardeve evropiane”, tha Qefalia.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme