Vangjeli: Për kryebashkiakun e Tiranës dhjetëra forca sigurie, për Ndocin vetëm 5 efektivë. Shkelje e rëndë e protokolleve

Analisti Lorenc Vangjeli e ka cilësuar si shkelje të rëndë të protokolleve të sigurisë arratisjen e të dënuarit Altin Ndoci nga spitali i burgut në Durrës.
Në emisionin “Trialog”, Vangjeli solli si shembull rastin e kryebashkiakut në detyrë të Tiranës, Erion Veliaj, duke ilustruar, sipas tij, diferencën e theksuar në masat e sigurisë.
“Është aksion në të gjithë botën që i burgosuri kërkon të arratiset, ndërsa gardiani tenton ta mbajë. Deri këtu jemi në normalitetin që e ndeshim herë pas here. Sjell një shembull ku e përbashkëta e tyre është që janë shkelur protokollet e sigurisë. Në këtë rast bëjmë një krahasim me një paraburgosur, që klasifikohet me rrezikshmëri standarde, që është kryetari aktual i bashkisë në detyrë, i cili për një ndërhyrje mjekësore kishte dy dyzina me forca speciale që e shoqëronin në ambientet e spitalit. Ndërkohë që në këtë rast, më thonë që gjithsej kanë qenë pesë efektivë policie. Më shpjegojnë që në asnjë moment i burgosuri në asnjë mënyrë nuk do duhej të lejohej vetëm. Do të duhej të ishte i pranishëm në spital, ndërkohë që do duhej të kishte pozicionim të forcave edhe në hyrje të godinës”, tha Vangjeli.
Sipas Vangjelit, numri prej pesë efektivësh ishte krejtësisht i papërshtatshëm, ndërsa planifikimi i masave të sigurisë ishte i mangët, duke përbërë shkelje serioze të protokolleve.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




