Situata në qarkun e Korçës, aksi Qafë Plloçë-Qukës i mbyllur përkohësisht, vijon pastrimi i inerteve. 5 fshatra të bllokuar në Dardhas

Në qarkun e Korçës situata vijon të jetë e qëndrueshme nga shirat dhe dëbora, ku nuk janë raportuar probleme të reja në asnjë zonë. Situata paraqitet e qëndrueshme dhe po monitorohet në mënyrë të vazhdueshme nga strukturat përgjegjëse.
Gjatë ditës së sotme po vijojnë punimet në disa bashki të qarkut. Në Bashkinë Maliq po kryhet forcimi i argjinaturës së lumit Devoll, si dhe pastrimi i dherave në rrugën e fshatit Mesmal. Në Bashkinë Pogradec vijojnë punimet për rehabilitimin e rrugës në fshatin Dunicë, Njësia Administrative Trebinjë.
Ndërkohë, në bashkëpunim mes bashkive Devoll dhe Pogradec, është siguruar një mjet i rëndë me zinxhirë, i cili gjatë ditës së sotme do të nisë punën për hapjen e rrugës drejt pesë fshatrave të bllokuara në Njësinë Administrative Dardhas.
Sipas ARRSH të gjitha akset rrugore janë të hapura, ndërsa vijon monitorimi dhe kriposja e segmenteve më problematike. Përjashtim bën aksi Qafë Plloçë–Qukës, ku po kryhen punime për pastrimin e inerteve nga shtrati i rrugës dhe qarkullimi është i mbyllur përkohësisht.
Nga OSHEE bëhet e ditur se aktualisht 16 abonentë ruralë në zonat Krushovë dhe Prenisht janë pa energji elektrike, ndërsa linjat që furnizojnë konsumatorët e rëndësisë së veçantë funksionojnë normalisht.
Ndërkohë, Hydropower Devoll njofton se përkohësisht do të mbyllen shkarkimet nga Diga e Moglicës, ndërsa situata do të vijojë të monitorohet nga afër.
Strukturat përgjegjëse mbeten në gatishmëri dhe në koordinim të plotë për menaxhimin e situatës.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



