Rama: Ligjet e integrimit në BE duhen miratuar pa vonesa e pa diskutime të brendshme

Politikë | 10 muaj më parë

Pas mbledhjes së Grupit Parlamentar Socialist, kryeministri Edi Rama, në një deklaratë për mediat, u ndal te procesi i integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, duke theksuar se ky qëllim kërkon përmbushjen e kritereve dhe miratimin e ligjeve të dakordësuara me Komisionin Evropian.

Rama vuri në dukje se ka pasur raste kur diskutimet dhe miratimi i ligjeve të lidhura me procesin e anëtarësimit janë vonuar ose trajtuar me lehtësi, duke u parë si çështje ku mund të ndërhyhet sipas opinioneve të brendshme.

“Kemi pasur disa raste që, në mënyrë të natyrshme, procesi i diskutimeve dhe miratimin e ligjeve që kanë të bëjnë me anëtarësimin në BE është vonuar  ose është marrë lehtë si një proces ku ne kemi lirinë të fusim duart sipas opinioneve tona. Ne nuk e kemi këtë liri. Kemi lirinë që të negociojmë me BE, nuk kemi lirinë që pasi negociojmë të diskutojmë. Negociatat mbi një draft që hyn në të gjithë mekanizmin e gjerë dhe kompleks të arkitekturës së ligjit europian, negociohet me Komisionin, i imponohet qeverisë dhe vjen në parlament. Në momentin kur vjen në parlament duhet miratuar dhe jo diskutuar sepse që t’i hymë diskutimit të një ligji të tillë, duhet më parë të diskutojmë a duam të hymë në BE apo jo”, tha Rama.

Kryeministri shtoi se disa deputetë gabojnë kur i referohen praktikave të vendeve të tjera të BE për draftet e dakordësuara me Komisionin, duke theksuar se procesi i integrimit është i standardizuar dhe i imponuar nga arkitektura e ligjit evropian.

“Disa kolegë bëjnë gabimin që marrin një draft që vjen nga qeveria, pasi është dakordësuar me Komisionin përmes skuadrës negociatore dhe fillojnë iu referohen vendeve të tjera të BE. Këtë gjë po e ndaj me ju si eksperiencë, ju ftoj që të jeni të gjithë të përthyeshëm për këtë. Ata që kanë hyrë në fillim në BE e kanë patur shumë më të lehtë procesin dhe janë bërë anëtarë me shumë më pak kushte. Kanë qenë shumë më të papërgatitur se ne sot, pastaj kanë ardhur ata më pas që kanë pasur më shumë kushte se ata më përpara”, theksoi kryeministri.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme