Berisha në Kombinat: Një opozitë e pamerituar 13-vjeçare është stërmunduese, por jemi në agun e një transformimi të madh

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, zhvilloi një takim me demokratët dhe mbështetësit në Kombinat, ku u ndal te situata e opozitës dhe zhvillimet politike në vend pas 13 vitesh jashtë pushtetit.
Në fjalën e tij, Berisha pranoi se një pjesë e mbështetësve janë të lodhur dhe të zhgënjyer nga qëndrimi i gjatë në opozitë. Sipas Berishës, opozita ndodhet në një moment të rëndësishëm politik dhe pranë një ndryshimi. Ai tha se sot PD dhe opozita shqiptare janë në prag të një fitoreje, duke theksuar se bëhet fjalë për një proces transformimi që kërkon angazhim të përbashkët.
“Kam ardhur sot tek ju për një bisedë që duhet ta bëjmë me njëri-tjetrin, duhet ta bëjmë me çdo demokrat, në mënyrë që të kuptojmë, të realizojmë se sot ne jemi në agun e vërtetë të një transformimi të madh. Sot, ne jemi në agun e vërtetë të një fitoreje të pashmangshme në betejat e saj, të opozitës shqiptare. Unë, jam i vetëdijshëm se ju me të drejtë jeni të dëshpëruar, jeni të lodhur, të mërzitur, një opozitë e pamerituar 13-vjeçare është stërmunduese.
Jam i vetëdijshëm se armiku që ne kemi përballë nuk respekton asnjë rregull, por nga ana tjetër jam i vetëdijshëm dhe i sigurtë se ne së bashku sot, jemi në prag të përmbushjes së misionit tonë historik të shpëtimit të Shqipërisë dhe shqiptarëve nga narkodiktatura, apo diktatura autokratike, e cila në shumë aspekte ka shkatërruar dhe dëmtuar qënien shqiptare më shumë se çdo regjim tjetër në tërë historinë e këtij vendi.”, u shpreh ai.
Kreu i PD deklaroi gjithashtu se qeveria aktuale ka përdorur mjete të ndryshme për të kufizuar veprimtarinë e opozitës dhe pluralizmin politik. Ai tha se, ndonëse vendi nuk ndodhet në një diktaturë totalitare, sipas tij pushteti ka ushtruar presion ndaj opozitës përmes ndjekjeve dhe veprimeve ndaj drejtuesve të saj.
“Natyrisht, nuk është më koha e diktaturave totalitare ku pluralizmi ndalohej me Kushtetutë, por sot ky përdor çdo mjet për të shtypur pluralizmin, për të shtypur opozitën. Përveç gjahut të shtrigave që bën ndaj opozitarëve, punës së tyre, bizneseve të tyre e me radhë, nuk ngurron të arrestojë, persekutojë, njëlloj si etërit e tij, drejtuesit e opozitës. Edi Rama në këto 13 vite shkatërroi institucionin më themelor të demkracisë, por edhe të dinjitetit, votën e lirë. Ai qendron në pushtet duke plaçkitur votën”, u shpreh Berisha.
Berisha akuzoi edhe për lidhje të qeverisë me krimin e organizuar, duke deklaruar se kjo ka ndikuar negativisht në jetën politike dhe institucionale të vendit. Ai theksoi se opozita synon të sjellë ndryshim përmes angazhimit politik dhe mbështetjes së qytetarëve.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




