“Familjarët janë gjallë, për momentin”/ Shqiptarja që jeton në Irak rrëfen tmerrin e mikeshës nga Irani: Vdekja iu duket pak para lirisë

Aktualitet | 10 muaj më parë

Situata në Iran që prej 28 dhjetorit 2025 është përshkallëzuar në një nga kryengritjet më të përgjakshme dhe masive. Ajo që nisi si një protestë për shkak të krizës ekonomike, u shndërrua në një lëvizje që kërkon rrëzimin e Republikës Islamike.

Në emisionin “Në Radio” të Andri Xhahut në Radio Tirana sot ishte e ftuar Gentjana Gjergji, e cila prej nëntë vitesh jeton në Irak. E gjendur në Tiranë pas anulimit të fluturimit për në Irak për çështje sigurie, ajo shprehet për përjetimet nga afër vatrës së konfliktit, por edhe të miqve të saj iranianë. “Duke qenë se Irani është vend kufitar dhe shumë i lidhur me Irakun nga ana politike, ekonomike dhe në shumë dimensione, shumë kolegë të mi nga Iraku kalojnë pushimet në Iran, janë shumë të lidhur dhe dashje pa dashje afekton. Shumë njerëz kanë të afërm atje që janë në protesta ose në situata të pakëndshme që po ndodhin në Iran. Që nga data 8 janar komunikimi është ndërprerë. Situata është delikate”, thotë ajo.

Gjergji tregon se prej dy ditësh ka arritur të komunikojë me mikeshën e saj iraniane. “Ajo ishte në Iran kur tentoja javën e shkuar ta kontaktoja, por u lidhëm pasi u kthye të premten në Irak. Ndjehet keq, është në tension, e përjeton me vështirësi, është në merak për familjarët dhe qytetarët. Shifrat nuk janë të sakta por bëhet fjalë mijëra të vrarë në protesta. Mendohet që mund të jenë më shumë se 12 mijë”.

Gjatë komunikimit me mikeshën e saj, Gjergji shprehet se tashmë frika më e madhe është për jetën e familjarëve, duke shkuar përtej situatës politike. “Gjëja e parë që më tha ishte që familjarët janë gjallë dhe shëndoshë e mirë për momentin. Fakti që theksohet ‘për momentin’ do të thotë që presin përshkallëzim edhe pse shpresojnë në qetësimin e situatës. Ajo u mbush emocionalisht, u prek dhe ia dha telefonin bashkëshortit. Ai më tha që po bën shumë mirë që nuk po vjen dhe të është shtyrë fluturimi pasi situata nuk është mirë”.

Gentjana thotë se situata në vatrën e konfliktit është pak paradoksale. “Komuniteti është i ndarë: një pjesë duan që qeveria të vazhdojë të ketë pushtet, pjesa tjetër ndihet e shtypur. Dëgjon të thonë që më në fund erdhi dita të jetojmë të lirë, të veshim ç’të duam, të jetojmë si të duam. Gjatë këtyre viteve që jetoj në Lindjen e Mesme shumë shpesh kujtoj se si e marrim të mirëqenë lirinë që kemi. Kur shikojmë situatën atje kuptojmë se sa shumë privilegje kemi duke qenë të lirë për të besuar çfarë të duam, për të jetuar si të duam dhe të jemi të lirë për të thënë dhe për të menduar ç’të duam. Ky nuk është një realitet për ata. Për sa kohë janë brenda shtetit të tyre nuk munden as të bisedojnë lirshëm me familjarët për situatën politike, për lirinë apo për të drejtat e njeriut”.

Për mikeshën e saj iraniane, Gjergji tregon se në momentin që ajo kthehet në vendin e saj i duhet të vendosë shaminë. “Madje ajo e thotë pak me rebelizëm se si ndonjëherë qëllimshëm nuk mbulohet që t’u japë një mesazh njerëzve. Ajo ka mbështetjen e bashkëshortit dhe ka një mbrojtje. Ndërsa për një vajzë beqare është ndryshe, siç kemi parë së fundi një video, ku një grup i madh burrash e kanë keqtrajtuar në mes të rrugës. Njerëzit durojnë, por vjen një moment që shpërthejnë, siç ka ndodhur tani, dhe vdekja iu duket pak që të arrijnë qëllimin për veten dhe familjen”.

Sipas Gjergjit, Iraku po mundohet që për konfliktin në Iran të mbajë një pozicion neutral. “Ka grupe njerëzish që po shkojnë të mbështesin njërën apo tjetrën palë, shtetin ose demonstruesit. Ka një debat të vazhdueshëm të mbështetësve të njërës palë ose tjetrës. Iraku po mundohet të luajë një rol stabilizues”.

Gentjana Gjergji, së bashku më bashkëshortin dhe dy fëmijët, jeton prej nëntë vitesh në Irak. Shkoi si pjesë e një organizate humanitare për të mbështetur familjet në nevojë. “Kam shkuar në Irak në vitin 2016, përpara se të përfundonte lufta me ISIS. Fillimi ishte i frikshëm. Mbaj mend që natën e parë nuk kam fjetur. M’u kthyen kujtimet dhe përjetimet e vitit 1997. Dëgjoja krismat dhe bombardimet që ishin në qytetin tjetër. Tre muajt e parë ishin deri diku depresiv. Kur fillon të njohësh njerëzit, kupton që ka dashamirësi dhe dashuri. Pavarësisht se nga jashtë e identifikojmë me luftën dhe ISIS-in, në Irak ka njerëz të dashur, modernë, të bukur në shpirt dhe pamje. Është mrekulli ta zbulosh”.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme