Tensionet mbi Grenlandën “fundosin” bursat evropiane, BE kërkon dialog, por bëhet gati për kundërpërgjigje

Tregjet evropiane të aksioneve kanë nisur javën nën “ethet” e pasigurisë së thellë, pas paralajmërimeve të fundit të Presidentit amerikan Donald Trump për vendosjen e tarifave ndëshkuese ndaj vendeve evropiane që kanë dërguar kontingjente ushtarake në Grenlandë.
Deklaratat nga Uashingtoni kanë shkaktuar tronditje të menjëhershme në marrëdhëniet transatlantike, duke sjellë reagime të forta diplomatike dhe një “lumë të kuq” në tabelat e bursave kryesore të kontinentit.
Brukseli: Prioritet shmangia e tarifave, por jemi gati
Ndërkohë që diplomacia po punon me intensitet të lartë në prapaskenë, Bashkimi Evropian ka bërë të qartë pozicionin e tij: de-përshkallëzim, por jo dorëzim.
“Konsultime intensive janë duke u zhvilluar midis udhëheqësve evropianë. Është e qartë se përparësia është të mos lejohet përshkallëzimi i situatës, të angazhohen SHBA-të dhe të shmangen tarifat, sepse ato do të dëmtonin bizneset dhe qytetarët në të dyja anët e Atlantikut,” deklaroi një zëdhënës i Komisionit Evropian gjatë mesditës së sotme.
Megjithatë, zëdhënësi paralajmëroi se Brukseli nuk do të qëndrojë duarkryq nëse Uashingtoni kalon nga fjalët në vepra: “Nëse tarifat zbatohen, BE-ja ka mjetet për t’u përgjigjur.”
Përballë kësaj krize të re, Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, ka thirrur një samit të jashtëzakonshëm të liderëve të 27 vendeve anëtare, i cili do të mbahet ditën e enjte për të koordinuar një qëndrim të përbashkët.
Tregjet në rënie, doditen luksi dhe teknologjia
Frika e një lufte të re tregtare ka rënduar menjëherë mbi humorin e investitorëve. Indeksi mbarë-evropian Stoxx 600 pësoi një rënie prej 1.3%.
Bursat kryesore kombëtare ndoqën të njëjtin trend negativ:
Milano dhe Parisi: -1.5%
Frankfurti: -1.4%
Madridi: -0.8%
Londra: -0.5%
Sektorët më të ekspozuar ndaj tregtisë ndërkombëtare ishin ata që pësuan goditjen më të fortë. Sektori i mallrave të luksit ra me 3.4%, i ndjekur nga teknologjia dhe industria e automobilave (të dyja me nga -2.8%), pasi investitorët druhen se këto industri do të jenë të parat në shënjestër të tarifave amerikane.
Në “Piazza Affari” në Milano, kompanitë si STM (-4.9%) dhe Amplifon (-4.4%) kryesuan listën e humbjeve, ndërsa edhe gjigantët si Ferrari (-2.4%) e Prysmian nuk i shpëtuan trendit negativ. E vetmja që “notoi kundër rrymës” ishte kompania e mbrojtjes Leonardo (+2.2%), e cila shpesh reagon pozitivisht në kohë tensionesh gjeopolitike.
Lëvizjet te valutat dhe lëndët e para
Në tregun valutor, pasiguria politike duket se ka dobësuar dollarin amerikan. Euro u forcua duke arritur në kuotën e 1.1628 dollarëve, ndërsa paundi britanik u këmbye me 1.3409 dollarë.
Pasiguria për rritjen ekonomike globale goditi edhe çmimet e energjisë:
Nafta WTI ra me 0.7% në 59.02 dollarë për fuçi.
Gazi Natyror (Amsterdam), pësoi një rënie të fortë prej 7%, duke zbritur në 34.28 euro për megavat orë.
Nga ana tjetër, ari konfirmoi statusin e tij si “strehë e sigurt” në kohë krize, duke vazhduar rritjen dhe duke qëndruar mbi vlerën 4,664 dollarë për ons.
Tregu i obligacioneve qeveritare mbeti relativisht i qetë, me diferencën (spread) mes bonove italiane dhe atyre gjermane të qëndrueshme në 63 pikë bazë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



