Bizneset e hapura përmes granteve, AKPA Shkodër: Rreth 80% e sipërmarrjeve vijojnë aktivitetin
Nga programet e vetëpunësimit që zbatohen prej pesë vitesh radhazi nga Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësimit, dhe që pritet të vijojnë edhe gjatë vitit 2026, në qarkun e Shkodrës kanë përfituar 158 punëkërkues të papunë, të cilët kanë marrë grante për hapjen e bizneseve të tyre. Sipas të dhënave nga Drejtoria Rajonale e AKPA-së në Shkodër, e cila ndjek edhe ecurinë e këtyre bizneseve, rezulton se rreth 80 për qind e sipërmarrjeve të hapura janë të qëndrueshme dhe në zhvillim të vazhdueshëm.
“Që nesër këto të mos na kthehen si bumerang si punëkërkues, por këto biznese jo vetëm të evoluojnë por të marrin dhe punëkërkues të tjerë në punë, ne kemi ndjekur për shembull në 2021-shin kemi pasur 15 fitues, në vitin 2022 kemi pasur 26 vetë. Viti më i vështirë ka qenë viti 2023 ku kemi pasur rreth 70% që kanë vijuar që I kemi aktualisht që vijojnë të jenë biznese”, deklaroi Rozafa Zmijani, Drejtore e AKPA Shkodër.
Duke iu referuar bizneseve të krijuara në kuadër të programit të vetëpunësimit për vitin 2025, përfituesit e granteve i përkasin të gjitha bashkive të qarkut Shkodër, duke treguar një shtrirje të gjerë territoriale të këtij programi mbështetës.
“Kemi dy biznese të reja që janë hapur në Malësi të Madhe, dy në Pukë, 4 në bashkinë Vau I Dejës, 13 prej njësive administrative të Shkodrës dhe pjesa tjetër janë nga Shkodra që ka dhe mbulimin më të madh”, shtoi Zmijani.
Viti 2025 ka shënuar edhe numrin më të lartë të përfituesve nga skema e vetëpunësimit në qark, ku 50 punëkërkues të papunë kanë pasur mundësinë të hapin biznese të reja, duke u integruar në tregun e punës dhe duke kontribuar në zhvillimin ekonomik lokal.
/RTSH/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




