PD i kërkon KLGJ dhe ILD shkarkimin e gjyqtares Irena Gjoka pas konfirmimit të dënimit në Greqi: S’mund të vazhdojë të qëndrojë në detyrë

Politikë | 9 muaj më parë

Prokuroria e Përgjithshme konfirmoi sot se gjyqtarja e Gjykatës së Posaçme, Irena Gjoka, rezulton e dënuar në shtetin grek dhe këtë fakt e ka fshehur në formularët e vetdeklarimit.

Pas këtij konfirmimi, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike i është drejtuar me një shkresë Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ) dhe Inspektorit të Lartë të Drejtësisë (ILD), duke kërkuar konstatimin e mbarimit të statusit të saj si magjistrate dhe largimin nga detyra.

Në letrën e firmosur nga kryetari i grupit, Gazment Bardhi, theksohet se Gjoka ndodhet në kushtet e papajtueshmërisë me funksionin kushtetues të gjyqtarit.

“Bazuar në dispozitat kushtetuese dhe ligjore, si dhe në konfirmimin e bërë zyrtarisht nga Prokurori i Përgjithshëm, mbi faktin se gjyqtarja e posaçme znj. Irena Gjoka rezulton e dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një vepre penale, fakt të cilin ajo e ka mbajtur të fshehur dhe nuk e ka deklaruar në disa dokumente zyrtare, e vendos atë në pamundësinë kushtetuese dhe ligjore për të ushtruar funksionin e gjyqtarit të Republikës”, thuhet në shkresë.

Opozita argumenton se KLGJ dhe ILD duhet të veprojnë brenda dy javëve nga marrja e njoftimit për papajtueshmërinë, teksa thekson se çdo vonesë në marrjen e masave “sjell pasoja të rënda për interesin publik, besimin e qytetarëve tek drejtësia dhe integritetin e sistemit gjyqësor”.

“Duke respektuar parimin e pavarësisë së institucioneve kushtetuese të drejtësisë dhe duke shmangur çdo ndërhyrje në punën Tuaj, ne deputetët e opozitës në Kuvend, në përputhje me parimin e ndarjes dhe të balancimit të pushteteve, parimit të shtetit ligjor, kontrollit kushtetues mbi zbatimin e ligjit, si dhe të përgjegjësisë sonë si deputetë për të mbrojtur interesin e shtetit shqiptar, kushtetutshmërinë dhe ligjshmërisë në sistemin gjyqësor, kërkojmë nga ana e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Inspektorit të Lartë të Drejtësisë që të veprojnë në kohë, menjëherë, për të zbatuar detyrimin kushtetues dhe ligjor, të konstatimit të mbarimit të statusit të magjistratit për gjyqtaren e posaçme znj. Irena Gjoka. Për më tepër, pas përfundimit administrativ të Prokurorit të Përgjithshëm dhe njoftimit të rezultateve Këshillit të Lartë Gjyqësor, ky i fundit sipas nenin 66 të ligjit nr. 96/2026, duhet të deklarojë me vendim mbarimin e statusit të magjistratit, jo më vonë se 2 javë nga marrja e njoftimit për shkakun e pazgjidhshmërisë dhe papajtueshmërisë.

Përsa më lart, çdo vonesë nga ana juaj shkakton pasoja të rënda për interesin publik, për vetë sistemin e drejtësisë, besimin e qytetarëve tek institucionet e pavarur të drejtësisë dhe për interesat financiare të shtetit shqiptar”, theksohet në dokument. 

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme