Reshje shiu dhe dëbore, ARRSH apelon për kujdes: Akset rrugore të hapura, ekipet vijojnë punën në terren

Aktualitet | 9 muaj më parë

Gjatë natës në vend kanë rënë reshje shiu me intensitet mesatar, ndërsa në zonat veriore dhe juglindore ka nisur dëbora.

Pavarësisht kushteve atmosferike, Autoriteti Rrugor Shqiptar ka njoftuar se të gjitha akset rrugore janë të hapura dhe qarkullimi vijon normalisht, duke u garantuar qytetarëve lëvizje të sigurt.

Ekipet e mirëmbajtjes kanë qenë në terren për pastrimin dhe kriposjen e segmenteve ku ka pasur grumbullime bore, duke siguruar që trafiku të mos pësojë ndërprerje.

Korça përballet me ndërprerje energjie dhe reshje bore, ekipet në terren për normalizim

Prefektura e Qarkut Korçë ka informuar mëngjesin e sotëm mbi situatën e furnizimit me energji elektrike dhe gjendjen e akseve rrugore në territorin e qarkut.

Sipas raportimeve të OSSHE-së, disa zona vijojnë të jenë pa energji elektrike për shkak të defekteve në fidere të ndryshme.

Pa energji janë rreth 500 abonentë ruralë në zonat Trebinjë dhe Bishnicë nga fideri Potgozhan i NST Guri i Kuq, 40 abonentë në zonën Rehovë nga fideri 8 i NST Ersekë, si dhe 3 abonentë në zonën Mazrekë nga fideri Vithkuq i NST Rehovë.

Pa furnizim janë gjithashtu 50 abonentë në zonën Mesmal nga fideri 9 i NST Lozhan, 5 abonentë në Pepellash nga fideri 4 i NST Mollas, si dhe 3 abonentë privatë dhe një antenë në Cardhak (Stefani) nga fideri 22 i NST Korçë.

Në zonën Gërmenj, fideri JO6 i NST Leskovik është pjesërisht në punë, duke lënë pa energji 2 abonentë, ndërsa fideri 19 i NST Korçë ka lënë pa furnizim 140 abonentë në zonën Dardhë. Pa energji është raportuar edhe fideri 3 i NST Ersekë.

Ekipet e OSSHE-së ndodhen në terren dhe po punojnë për normalizimin sa më të shpejtë të furnizimit me energji elektrike.

Ndërkohë, ARRSH raporton se gjatë natës ka pasur reshje bore në disa akse të qarkut. Në rrugët Korçë–Ersekë dhe Zëmblak–Goricë–Bilisht–Miras ka pasur reshje bore dhe po vijon pastrimi e kriposja, ndërsa rekomandohet qarkullimi me goma dimërore.

Në akset Libonik–Rëmbec–Plasë dhe Korçë–Voskopojë trashësia e borës ka arritur deri në 8 cm, e shoqëruar me erë të fortë, por pastrimi dhe kriposja janë kryer dhe qarkullimi vijon normalisht. Në segmentet k/Boboshticë–Dardhë dhe k/Lapidari Podgorie–k/Podgorie–Liqenas reshjet e borës kanë qenë të forta, ndërsa në Dardhë trashësia e borës ka arritur në disa vende mbi 50 cm.

Po punohet për pastrimin dhe kriposjen e rrugës, ndërsa këshillohet përdorimi i gomave dimërore dhe zinxhirëve. Reshje bore janë regjistruar edhe në akset Maliq–Kufi Gramsh dhe Ersekë–Leskovik–Tre Urat, ku puna për pastrimin dhe kriposjen vijon.

Deri në këto momente, nga bashkitë e qarkut nuk janë raportuar problematika të tjera. Prefektura e Qarkut Korçë njofton se mbetet në ndjekje të vazhdueshme të situatës dhe do të informojë në kohë reale për çdo zhvillim të ri.

Shkodra përballet me rikthimin e borës, akset rrugore mbeten të hapura

Gjatë natës janë rikthyer reshjet e borës në zonat malore të qarkut të Shkodrës, duke përfshirë Bogën dhe Thethin në Malësinë e Madhe. Menjëherë pas fillimit të reshjeve, mjetet borëpastruese të kompanive kontraktore janë vënë në punë për të mbajtur të hapura akset rrugore, të cilat deri tani nuk paraqesin problematika për qarkullimin. Paralelisht po kryhet edhe kriposja e segmenteve për të shmangur krijimin e shtresës së akullit. Për drejtuesit e mjeteve motorike që lëvizin në këto zona rekomandohet përdorimi i gomave dimërore dhe zinxhirëve, në mënyrë që qarkullimi të vijojë i sigurt pavarësisht kushteve atmosferike.

Kukësi nën reshje bore të lehta, akset rrugore të hapura dhe furnizimi energjetik pothuajse i plotë

Situata në Qarkun Kukës mëngjesin e sotëm paraqitet e qetë, pavarësisht reshjeve të borës me intensitet të ulët që kanë përfshirë zonën.

Subjektet kontraktore kanë vijuar punën gjatë gjithë kohës për pastrimin e rrugëve dhe kriposjen e tyre, duke garantuar qarkullim normal. Të gjitha akset rrugore nacionale janë të hapura dhe nuk raportohen problematika nga bashkitë Kukës, Tropojë dhe Has.

Në aspektin e furnizimit me energji elektrike, i gjithë qarku është i mbuluar, përveç disa rasteve të izoluara: fshati Gëdhesht në Njësinë Administrative Malzi me 13 abonentë, fshati Shtrezë në Njësinë Administrative Topojan me 15 abonentë, si dhe Njësia Administrative Bujan në bashkinë Tropojë. Furnizimi me ujë të pijshëm vijon sipas orareve të përcaktuara nga Drejtoria Rajonale e Ujësjellës-Kanalizimeve Kukës.

Prefektura e Kukësit njofton se mbetet në kontakt të vazhdueshëm për monitorimin e situatës dhe do të informojë në kohë reale për çdo zhvillim të ri.

ARRSH : Akset rrugore në veri, qendër dhe jug të vendit të hapura, kontraktorët vijojnë pastrimin dhe kriposjen

Në rajonin verior, akset Bajram Curri–Valbonë, Ura Bujan–Qafë Morinë, Bujan–Qafë Morinë (doganë), Sopot–Kerrnaj, Qafë Mejdan–Tropojë–Buçaj, Fierzë–Bajram Curri, Bulqizë–Peshkopi, Kukës–Shishtavec, Kukës–Bushtricë, Kukës–Krumë, Bogë–Theth dhe Dedaj–Razëm janë të qarkullueshme. Në rajonin qendror, qarkullimi vijon normalisht në aksin Trau Dajt–Qafë Priskë–Qafë Mollë. Ndërsa në rajonin jugor, akset Qafë Thanë–Kapshticë, Qukës–Qafë Plloçë, Maliq–Kufi Gramsh, Korçë–Voskopojë, Boboshticë–Dardhë, Ersekë–Leskovik–Tre Urat dhe Muzinë janë të hapura për qarkullim.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme