Stuhi dëbore në Korçë dhe era e fortë përfshijnë juglindjen e vendit, probleme me energjinë, ekipet e OSHEE në terren
Gjatë natës, reshjet e shiut dhe borës janë rikthyer në zonat malore të vendit, duke sjellë situata të vështira sidomos në juglindje.
Në Dardhë të Korçës trashësia e borës ka arritur deri në 50 centimetra, ndërsa erërat e forta e kanë përkeqësuar gjendjen.
Autoritetet janë angazhuar me mjete borëpastruese dhe kriposje për të mbajtur akset rrugore të hapura, ndërsa drejtuesit e mjeteve këshillohen të përdorin goma dimërore dhe zinxhirë.
Në akset Libonik–Rëmbec–Plasë dhe Korçë–Voskopojë bora ka arritur deri në 8 centimetra, e shoqëruar me erë të fortë. Reshje bore janë regjistruar edhe në Maliq–Gramsh dhe Ersekë–Leskovik–Tre Urat, ku qarkullimi vijon normal pas ndërhyrjes së mjeteve borëpastruese.
Situata është rënduar edhe për shkak të problemeve me furnizimin me energji elektrike. Mbi 1000 familje kanë mbetur pa drita në zonat Trebinjë, Bishnicë, Dardhë dhe Potgozhan, si pasojë e rrëzimit të shtyllave të tensionit të ulët dhe të mesëm. 11 grupe të OSHEE janë në terren për rikthimin e energjisë, por stuhia e borës dhe erërat e forta e bëjnë të vështirë ndërhyrjen.
Në gjithë zonat malore të bashkive Korçë, Pogradec, Devoll, Ersekë dhe Maliq, trashësia e borës ka shkuar deri në 40 cm, ndërsa në disa vende për shkak të erës së fortë ka arritur deri në 1 metër. Vetëm në akset nacionale janë në patrullim 5 grupe të qarkullimit rrugor, të cilët u bëjnë apel drejtuesve të mjeteve të tregojnë kujdes dhe të pajisen me goma dimërore e zinxhirë.
Prefektura e Qarkut Korçë njofton se nga inspektimet në terren, sidomos në aksin Boboshticë–Dardhë, situata paraqitet e rënduar për shkak të erës së fortë dhe reshjeve të dendura, por qarkullimi vijon me zinxhirë. Autoritetet sigurojnë se shërbimi nuk do të mungojë dhe mjetet borëpastruese do të vijojnë punën pa ndërprerje.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




