15 vite nga 21 Janari, xhaxhai i Aleks Nikës paraqitet në SPAK: Zëri në audiokasetë është identifikuar kujt i përket
Mark Nika, xhaxhai i Aleks Nikës, protestuesit të vrarë më 21 Janar është paraqitur këtë të mërkurë në Prokurorinë e Posaçme (SPAK). Ai ka kërkuar takim me prokurorët për të marrë informacione mbi ecurinë e hetimeve.
Kujtojmë se më herët Prokuroria e Posaçme ka kërkuar nga familjarët e të ndjerit Aleks Nika që të tregojnë mënyrën se si siguruan audio regjistrimi me komunikimin mes gardistëve më 21 Janar, si dhe pajisjen origjinale me të cilën është bërë regjistrimi, pasi kaseta e dorëzuar në SPAK është kopjo.
“Nuk e dimë a është ekzakt. Janë bërë ekspertime. Zëri është identifikuar se i kujt është. Kam kërkuar takim me prokurorin”, deklaroi Nika para hyrjes në SPAK.
Më 22 korrik të 2024-ës, SPAK mori dëshmitë e para të bashkëshortes dhe xhaxhit të protestuesit të vrarë Aleks Nika lidhur me çështjen e 21 janarit. Xhaxhai i Aleks Nikës, Mark Nika në një deklaratë për RTSH, bëri me dije se kaseta që dispononin familjarët, përmbante urdhrin e ish kreut të Gardës, Ndrea Prendi që të qëllohej mbi protestuesit pasi doli nga Kryeministria.
Hetimet për 21 janarit 2011 nisën pas kërkesës së familjarëve të Aleks Nikës, që prej më shumë se një dekadë kërkojnë drejtësi për vrasjen e djalit të tyre, ndërkohë që është e vetmja vrasje pa autor në ngjarjen e 21 janarit. Në vitin 2020, Prokuroria e Tiranës i pezulloi hetimet edhe vrasjen e Aleks Nikës që kishte mbetur pa autorë për t’i rihapur sërish në 2021. Familja e Aleks Nikës ka kërkuar vazhdimisht që kjo çështje ti kalonte për hetim SPAK por ky i fundit nuk pranonte të hetonte një çështje e cila po hetohej njëkohësisht edhe nga Prokuroria e Tiranës.
Në 14 nëntorit 2023, Gjykata e Strasburgut doli në përfundimin se 21 janari ishte krim shtetëror dhe duhet të hetohet si i tillë nga drejtësia shqiptare. Strasburgu vendosi që për çështjen e Aleks Nikës t’i hapej rrugë hetimit të munguar. Me anë të këtij vendim familja Nika ju drejtua Gjykatës së Lartë.
Pas një viti, Gjykata e lartë doli më një vendim ku urdhëroi SPAK të regjistronte kallëzimin e familjes Nika dhe të niste hetimet për 21 Janarin.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




