Miratohet pakti strategjik me Italinë, nga energjia te emigracioni dhe arsimi, zbardhet marrëveshja e re

Politikë | 9 muaj më parë

Komisioni parlamentar për Edukimin, Shkencën dhe Sportet i ka hapur rrugë ratifikimit të marrëveshjes së gjerë të bashkëpunimit strategjik mes Shqipërisë dhe Italisë. Në mbledhjen e drejtuar nga zëvendëskryetarja Evis Kushi, deputetët miratuan projektligjin që vulos një kornizë të re bashkëpunimi me vendin fqinj.

Marrëveshja, e nënshkruar mes Këshillit të Ministrave të dy vendeve, mbulon një spektër të gjerë sektorësh jetikë, duke përfshirë: kujdesin shëndetësor, energjinë, mjedisin, industrinë e sigurisë dhe mbrojtjes, menaxhimin e migracionit, si dhe arsimin e inovacionin.

I pranishëm për të mbrojtur projektligjin, Zëvendësministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Enkelejd Musabelliu, e cilësoi Italinë si një nga partnerët më strategjikë në Bashkimin Evropian.

“Kjo marrëveshje krijon një kornizë të qëndrueshme dhe afatgjatë. Ajo nuk është thjesht një dokument bashkëpunimi, por një mundësi konkrete për transferimin e teknologjisë dhe dijes, si dhe krijimin e infrastrukturave të përbashkëta kërkimore,” theksoi Musabelliu.

Sipas tij, një fokus i veçantë i është kushtuar rritjes së lëvizshmërisë së studentëve dhe profesionistëve, si dhe integrimit të diasporës shqiptare në zhvillimin ekonomik të vendit. Edhe përfaqësuesit e Ministrisë së Arsimit e vlerësuan projektligjin si një hap pozitiv për thithjen e eksperiencave më të mira italiane.

Deputetja Lindita Nikolla, në rolin e relatores, u ndal tek aspekti juridik i marrëveshjes. Ajo garantoi se pas shqyrtimit të ligjshmërisë, projektligji rezulton në përputhje të plotë me Kushtetutën e Shqipërisë dhe nuk cënon kompetencat e institucioneve të pavarura apo rendin kushtetues.

Pas diskutimeve, Komisioni e miratoi marrëveshjen në parim, nen për nen dhe në tërësi, duke i hapur rrugë votimit final në seancë plenare.

Pakti strategjik me Italinë merr “OK” edhe nga Komisioni i Diasporës dhe Kulturës
Marrëveshja e gjerë e bashkëpunimit strategjik mes Shqipërisë dhe Italisë ka kaluar edhe në një tjetër filtër parlamentar. Pas Komisionit të Edukimit, edhe Komisioni për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën ka miratuar ditën e sotme ratifikimin e këtij dokumenti të rëndësishëm.

Mbledhja u zhvillua nën drejtimin e zëvendëskryetarit të komisionit, Erion Malaj, ku në fokus ishte shqyrtimi i paktit që prek sektorë kyç si kujdesi shëndetësor, energjia, siguria, menaxhimi i migracionit, por edhe çështje që lidhen direkt me fushën e këtij komisioni, si inovacioni dhe diaspora.

Për të prezantuar detajet e marrëveshjes para ligjvënësve ishte i pranishëm Zëvendësministri i Ekonomisë dhe Inovacionit, Enkelejd Musabelliu, i shoqëruar nga stafi teknik i ministrisë.

Projektligji u relatua nga deputetja Briseida Çakërri, e cila theksoi rëndësinë e këtij bashkëpunimi për transformimin ekonomik dhe rritjen inteligjente të vendit.

Pas diskutimeve dhe pyetjeve drejtuar përfaqësuesve të qeverisë, anëtarët e Komisionit e miratuan projektligjin në parim, nen për nen dhe në tërësi. Me këtë miratim, marrëveshja bën një hap tjetër drejt vulosjes përfundimtare në Parlament.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme