Lamallari propozon ndryshime në Kodin Penal – Krimet seksuale ndaj fëmijëve trajtohen me dënime më të ashpra

Aktualitet | 9 muaj më parë

Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, ka propozuar  në Komisionin e Ligjeve një paketë ndryshimesh në Kodin Penal, e cila synon ashpërsimin e dënimeve për krime seksuale ndaj fëmijëve, trafikimin e qenieve njerëzore, shfrytëzimin e njeriut, zaptimin e paligjshëm të tokës dhe ndërtimet pa leje.

“Ndryshimet ashpërsojnë veprat penale me natyrë seksuale, rrisin ndjeshëm dënimet, zgjasin afatet e parashtrimit dhe parashikojnë ndalimin e profesioneve që parashikojnë kontakt me fëmijë. Projektiligji ashpërson ndjeshëm trajtimin penal lidhur me zënien e paligjshme të tokës”, u shpreh ministri.                                                                                                                     

Një tjetër ndryshim lidhet me sigurinë publike, ku parkimi në rresht të dytë trajtohet si vepër penale kur pengon seriozisht qarkullimin dhe mjetet e emergjencë.

“Projektligji ndërhyn edhe në një fenomen tjetër të përditshëm por me pasoja serioze për sigurinë publike që ka të bëjë me parkimin në resht të dytë duke e trajtuar si vepër penale në rastet kur kjo pengon seriozisht qarkullimin dhe lëvizjen e mjeteve të emergjencës”, tha Lamallari.

Paketë parashikon gjithashtu dënime më të ashpra për zjarr vëniet me qëllim tjetërsimin e tokës, parkimin e dyfishtë që pengon emergjencat, si dhe mbrojtje për gazetarët nga përgjegjësia për shpifje kur veprojnë në mirëbesim.

“Veçanërisht kur rrezikohen vende të banuara si dhe kur zjarrvënia përdoret për të ndryshuar destinacionin e tokës”, theksoi ai.

Ministri Lamallari e cilësoi këtë paketë si një hap strategjik për forcimin e shtetit të së drejtës dhe përmbushjen e standardeve të Bashkimit Evropian. Ndërkohë, deputeti Tedi Blushi kritikoi disa nga masat, duke e quajtur të ekzagjeruar dënimin për parkimin e dyfishtë.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme