“Gjuetia e paligjshme rrezikon faunën e egër”, Shoqata e Gjuetarëve: Po kryhet gjatë orëve të natës
Pas heqjes së moratoriumit disa-vjeçar, gjuetia në Shqipëri lejohet vetëm për persona të pajisur me leje përkatëse, anëtarë të shoqatave të licencuara dhe vetëm gjatë sezonit e në zonat e miratuara. Por në terren, realiteti paraqitet ndryshe.
Sipas kryetarit të Shoqatës së Gjuetarëve në Shkodër, po ushtrohet gjueti në mënyrë të paligjshme, kryesisht gjatë orëve të natës, nga persona të paliçensuar. Një fenomen që, sipas tij, po rrezikon zhdukjen e disa specieve të faunës së egër në këtë qark.
“Gjuetia gjatë natës është shumë alarmante. Janë zhdukur shumë kafshë, pasi gjuetia ushtrohet gjatë natës. Ajo zhvillohet gjatë gjithë vitit, pa respektuar sezonet e lejuara,” tha Zyhdi Mustafa, Kryetar i Shoqatës së Gjuetarëve Shkodër.
Një tjetër shqetësim i ngritur nga Shoqata e Gjuetarëve në Shkodër është mungesa e përcaktimit të zonave të lejuara për ushtrimin e gjuetisë, çka sipas tyre krijon paqartësi dhe favorizon shkeljet ligjore.
“Bashkia ka shumë pak zona të lira, pasi një pjesë e tyre janë zona të mbrojtura ku gjuetia nuk lejohet, ndërsa pjesa tjetër përbëhet nga toka private,” shtoi Mustafa.
Drejtuesit e shoqatës së gjuetarëve në Shkodër, kërkojnë ndërhyrje të institucioneve përgjegjëse për forcimin e kontrolleve në terren dhe përshpejtimin e procedurave të licencimit te gjuetarëve, në mënyrë që të mbrohet fauna dhe të parandalohet gjuetia e paligjshme
Gazetar: A. Hoti
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




