SHBA ndryshon strategjinë e mbrojtjes, kufizohet mbështetja për aleatët

Botë | 9 muaj më parë

Pentagoni ka publikuar Strategjinë e Re Kombëtare të Mbrojtjes, e cila shënon një ndryshim të rëndësishëm në politikat e mbrojtjes të Shteteve të Bashkuara. Sipas dokumentit, siguria e territorit amerikan ka kaluar në prioritet kryesor, ndërsa mbështetja për aleatët është kufizuar. Ky dokument publikohet një herë në katër vjet dhe për herë të parë, Kina nuk konsiderohet më si shqetësimi kryesor për sigurinë kombëtare të SHBA-së, duke i lënë vendin fokusit të ri mbi mbrojtjen e atdheut.

Ushtria amerikane do t’i japë përparësi mbrojtjes së territorit të saj dhe, siç thuhet në strategji, do të ofrojë mbështetje më të kufizuar për aleatët, përfshirë ata në Evropë. “Forcat amerikane do të përqendrohen në mbrojtjen e atdheut dhe në rajonin Indo-Paqësor, ndërsa aleatët dhe partnerët tanë do të marrin përgjegjësinë kryesore për mbrojtjen e tyre, me mbështetje kritike, por më të kufizuar nga forcat amerikane,” thuhet në dokument.

Ky ndryshim thelbësor është në kontrast me strategjitë e mëparshme. Në dokumentin e Administratës Biden, Kina përshkruhet si sfida më e madhe për SHBA-në, ndërkohë që Rusia konsiderohet një kërcënim urgjent. Ndërkohë, dokumenti i administratës Trump theksonte përmirësimin e marrëdhënieve me Kinën, por shmangte përmendjen e Tajvanit, një aleat i SHBA-së, të cilin Kina e konsideron si territor të saj.

Në strategjinë e re, kërcënimi nga Rusia përshkruhet si i vazhdueshëm, por i menaxhueshëm, me ndikim kryesisht në anëtarët lindorë të NATO-s. Pjesa më e madhe e fokusit të Pentagonit do të jetë në rivendosjen e dominimit ushtarak amerikan në Hemisferën Perëndimore, me qëllimin për të mbrojtur sigurinë kombëtare të SHBA-së.

Në një pjesë të dokumentit, Departamenti i Sigurisë Kombëtare i administratës Trump kritikon paraardhësit për neglizhencën ndaj sigurisë kufitare, duke i atribuar kësaj situatë “një përmbytje” të vendit me emigrantë të paligjshëm dhe trafik narkotikësh.

Në fund, Pentagonit i është besuar një rol i rëndësishëm për të rivendosur ndikimin e SHBA-së në Amerikën Latine, duke theksuar se ky rajon është një pjesë kyçe e axhendës së SHBA-së. “Pentagoni do të rivendosë dominimin ushtarak amerikan në Hemisferën Perëndimore. Ne do ta përdorim atë për të mbrojtur atdheun tonë,” përfundon dokumenti i ri i Pentagonit.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme