Ura e Golikut në rrezik – Gërmimet për ar po e çojnë drejt shkatërrimit
Ura e Golikut, Monument Kulture i Kategorisë së Parë, e ndërtuar në fund të shekullit XVII, po përballet sot me rrezikun e shkatërrimit.
Një nga veprat më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore në zonën e Mokrës, e lidhur historikisht me degëzimin e rrugës antike Egnatia, po dëmtohet vazhdimisht nga gërmimet e paligjshme.
Prej vitesh, ura është pre e kërkuesve të arit dhe materialeve arkeologjike, të cilët ndërhyjnë në mënyrë të përsëritur në strukturën dhe trupin e saj, duke cenuar seriozisht qëndrueshmërinë e monumentit. Dëmtime të tilla janë konstatuar edhe së fundmi, por autorët mbeten të paidentifikuar, pasi gërmimet kryhen gjatë orëve të natës. Pasojat janë të dukshme: zgavra në themele, çarje në trupin e urës dhe shembje të pjesshme të materialit lidhës, dëmtime që përbëjnë rrezik serioz.
Kryeplaku i fshatit Golik, në një prononcim për RTSH-në, u shpreh se, “Kërkojmë nga institucionet shtetërore që të mirëmbajnë këtë urë. Në radhë të parë po shkatërrohet nga vetë dora e njerëzve, por edhe nga reshjet e shiut. Kemi parë gërmime që bëhen për thesare, por nuk kemi parë ndonjëri kush i bën, sepse kërkimet i bëjnë natën. Nëse nuk vënë dorë institucionet shtetërore, kjo urë do të rrëzohet.”
Përveç ndërhyrjeve kriminale, edhe faktorët atmosferikë kanë luajtur rolin e tyre. Mbi 300 vite ekspozim ndaj reshjeve, ngricave dhe erozionit kanë përshpejtuar degradimin e urës, duke e bërë sot emergjente domosdoshmërinë për ndërhyrje nga institucionet përgjegjëse.
Gazetare: Kostanca Koçi
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




