Irani zbulon muralen që paralajmëron SHBA: Mos nisni sulm ushtarak

Botë | 9 muaj më parë

Në sheshin Enghelab të Teheranit është zbuluar një mural i ri, i cili paralajmëron Shtetet e Bashkuara të mos ndërmarrin një sulm ushtarak ndaj Iranit.

Piktura paraqet avionë të dëmtuar mbi kuvertën e një aeroplanmbajtëseje amerikane, shoqëruar me sloganin në persisht dhe anglisht: “Nëse mbjell erën, do të korrësh stuhinë.”

Ky veprim vjen pak ditë pasi një zyrtar i lartë iranian deklaroi se çdo sulm do të trajtohej si “luftë e gjithanshme” kundër vendit, në prag të mbërritjes së aeroplanmbajtëses amerikane USS Abraham Lincoln dhe disa shkatërruesve me raketa në rajon.

Sheshi Enghelab, i përdorur shpesh për tubime të thirrura nga shteti, ndryshon muralet sipas rasteve kombëtare, duke u kthyer në një hapësirë simbolike për mesazhe politike.

Presidenti amerikan Donald Trump ka konfirmuar se dërgimi i flotës është një masë paraprake “në rast se vendos të veprojë”, duke shtuar se “ndoshta nuk do të jetë e nevojshme ta përdorim.” Ai ka inkurajuar protestuesit iranianë të vazhdojnë demonstratat, duke u premtuar se “ndihma është në rrugë.”

Ndërkohë, tensionet mes dy vendeve mbeten të larta. Trump ka paralajmëruar se çdo veprim ushtarak i ardhshëm do ta bëjë sulmin e vitit të kaluar ndaj objekteve bërthamore iraniane “të duket si gjë e vogël.”

Shtetet e Bashkuara kanë dërguar periodikisht forca shtesë në Lindjen e Mesme në momente tensioni, shpesh të interpretuara si masa mbrojtëse, por një grumbullim i madh vitin e kaluar parapriu bombardimet ndaj programit bërthamor iranian.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme