Fatos Qerimaj, një portret muzikor përmes një koncerti simfonik, premierë absolute me Orkestrën Simfonike të RTSH

Kulturë | 9 muaj më parë

Kompozitori dhe dirigjenti i njohur Fatos Qerimaj ishte i ftuar në studion e emisionit “Mirëmëngjes Shqipëri” në RTSH1, ku foli për koncertin e veçantë që Orkestra Simfonike e RTSH do t’i kushtojë krijimtarisë së tij muzikore. Mbrëmja koncertore premton një udhëtim shpirtëror përmes muzikës simfonike, ku tradita shqiptare ndërthuret me frymën bashkëkohore. Koncerti do vij mbrëmjen e 30 janarit ora 19:00 në skenën e Teatrit të Operës dhe Baletit.

Në qendër të koncertit do të jetë premiera absolute e veprës “Ekzil Simfoni”, e shoqëruar edhe nga vepra të tjera të repertorit të Qerimajt, si “Uvertura Epirus” dhe “Suita Simfonike”. Programi do të hapet me një vepër të Mozartit, si një emblemë e rrënjëve të muzikës klasike dhe një pikë referimi artistike.

“Repertorin e kam përzgjedhur për të qenë një repertor i lidhur mirë me traditën dhe të gjitha veprat që do të jenë të miat siç janë Simfonia Ekzil dhe Uvertura Epirus si dhe Suita Simfonike paraprihen nga Mozart si një emblemë artistike dhe për momentin është një ndër veprat më të luajtura në skenat botërore. Vet Orkestra Simfonmike është tradicionale dhe do të interpretoj këto vepra. Orkestra Simfonike e RTSH ka një standard shumë të lartë dhe jam i privilegjuar për të pasur me të një frymëmarrje të përbashkët dhe për të ndërtuar një fusion simfonik me një standard të lartë”, u shpreh Qerimaj.

Sipas kompozitorit, koncerti është menduar më shumë për t’u ndjerë sesa për t’u shpjeguar, pasi muzika flet për ndjesitë, natyrën dhe përfytyrimin shpirtëror. Tema tradicionale shqiptare, ritmet dhe harmonitë e pasura do të gjejnë shprehje në gjuhën e muzikës simfonike, duke dëshmuar thesarin kulturor që mbart muzika jonë.

“Mendoj që koncerti do të jetë për tu dëgjuar dhe për të ndjerë muzikën sepse ajo flet për ndjesitë dhe përfytyrimin e natyrës. Vepra të cilat nuk shpjegohen por ndjehen. Simfonia titullohet Ekzil. Shumë tema tona tradicionale janë futur në muzikën simfonike. Ne kemi një thesar të madh të ritmeve dhe harmonisë dhe kemi shumë çfarë të tregojmë. Koncerti do të hapet me Mozart për të treguar se rrënjët e muzikës klasike”, tha ai.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme