Kërkesa e SPAK-ut për Belinda Ballukun, shtyhet mbledhja e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetit
Kuvendi ka bërë të ditur se është shtyrë mbledhja e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetit, që do të shqyrtonte kërkesën e SPAK-ut për Belinda Ballukun, mbledhje e cila ishte parashikuar të mbahej në orën 12 të ditës së sotme.
“Në mbështetje të nenit 73 të Kushtetutës, nenit 13, pika 5, dhe nenit 118 të Rregullores së Kuvendit, si dhe duke marrë në konsideratë se në mbledhjen e parë të Këshillit, të zhvilluar më datë 19.12.2025. deputetë anëtarë të këtij këshilli kanë kërkuar që shqyrtimi i kërkesës së Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar “Për dhënie e autorizimit nga Kuvendi për arrestimin/heqjen e lirisë së deputetit/ministrit/zëvendëskryeministrit nëpërmjet zëvendësimit të masës së sigurimit”, të lidhet me marrjen dhe vlerësimin paraprak të vendimit përkatës të Gjykatës Kushtetuese, duke vlerësuar se një shqyrtim i tillë synon garantimin e një procesi vendimmarrës të plotë, objektiv dhe në përputhje me parimet kushtetuese, me qëllim shmangien e cenimit të parimit të sigurisë juridike dhe garantimin e rregullsisë kushtetuese të veprimtarisë dhe vendimmarrjes së Kuvendit,
Urdhëroj: 1. Shtyrjen e mbledhjes së Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin të parashikuar për datën 28.1.2026 ora 12.
II. Mbledhja e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin do të thirret dhe do të njoftohet në një datë tjetër.
III. Ngarkohen shërbimet e Kuvendit për shpërndarjen me anë të postës elektronike zyrtare të urdhrit.
IV. Ky urdhër hyn në fuqi menjëherë”, thuhet në njoftimin e Kuvendit.
Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi ka reaguar duke e konsideruar shtyrjen e mbledhjes si një lëvizje të qëllimtë të mazhorancës për të bllokuar SPAK. Ai akuzon edhe Gjykatën Kushtetuese se po ndjek të njëjtën strategji.
“Zvarritja e çështjes Balluku, si në Parlament ashtu edhe në Gjykatën Kushtetuese, nuk është rastësi, por një operacion i koordinuar politik për të bllokuar SPAK-un dhe për të mbrojtur korrupsionin në majë të pushtetit. Mazhoranca socialiste dhe Edi Rama kanë zgjedhur zvarritjen si mekanizëm mbrojtës për Belinda Ballukun. Të njëjtën strategji ka ndjekur edhe Gjykata Kushtetuese, e cila dje shtyu pa afat vendimmarrjen për të pandehurën Belinda Balluku. Sot, Kuvendi i Shqipërisë ka vijuar të njëjtën linjë: është shtyrë, pa asnjë arsye të ligjshme, mbledhja e Këshillit të Mandateve, me justifikimin se duhet pritur vendimi i Gjykatës Kushtetuese, edhe pse masa e re e sigurisë që kërkon SPAK ndaj Ballukut nuk ka asnjë lidhje me çështjen e pezullimit nga detyra.
Si shtyrja nga Gjykata Kushtetuese, ashtu edhe shtyrja nga Kuvendi janë hallka të të njëjtit zinxhir mbrojtës, i komanduar politikisht nga Edi Rama. Për shkak se ka marrë një vendim pezullimi të vendimit të GJKKO-së, Gjykata Kushtetuese ka detyrimin ligjor të shqyrtojë këtë çështje me përparësi dhe të konkludojë me një vendimmarrje që zhbllokon veprimtarinë hetimore të SPAK. Çdo vonesë është shërbim i drejtpërdrejtë për Edi Ramën, për të blerë kohë kundër drejtësisë, dhe për të pandehurën Balluku, për prishje provash, intimidim dëshmitarësh dhe vijim të aferave korruptive me vlerë miliona euro”, shkruan Bardhi.
Shtyrja e mbledhjes së Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetit vjen në një kohë kur Gjykata Kushtetuese nuk ka dalë ende me një vendim për rastin e zëvendëskryeministres Belinda Balluku, pas shqyrtimit të ankimit të qeverisë.
Trupa gjyqësore prej 8 gjyqtarësh u mblodhën të martën (27 janar) duke vendosur më shumë kohë për vendimmarrjen.
Pak ditë më parë, Gjykata Kushtetuese zhvilloi seancën publike për shqyrtimin e ankimit të Kryeministrit lidhur me vendimin e Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), e cila ka vendosur pezullimin nga detyra të zëvendëskryeministres dhe njëkohësisht Ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.
Gjykata e Posaçme nuk mori pjesë në seancën publike, pasi argumentoi se nuk mundtë legjitimohej si palë në një gjykim kushtetues ku kërkues është Kryeministri.
Sipas GJKKO-së, pjesëmarrja e saj do të cenonte parimin e ndarjes së pushteteve dhe pavarësinë e brendshme të gjyqësorit.
Ndërkohë Këshilli i Ministrave kërkon shpalljen si antikushtetues të vendimit të GJKKO-së. Përfaqësuesja e Këhsillit të Ministrave, deklaroi në seancën publike të mbajtur pesë ditë më parë në Kushtetuese, se GJKKO dhe SPAK pretendojnë se ankimi është i parregullt, pasi nuk janë shteruar shkallët e gjykimit për masën e sigurimit, mungon legjitimimi i kërkuesit, për shkak se Këshilli i Ministrave dhe Kryeministri nuk kanë interes personal, si dhe nuk ekziston një marrëdhënie juridike kushtetuese apo konflikt kompetencash.
Më 12 dhjetor të 2025-ës Gjykata Kushtetuese mori vendimin për pezullimin e efekteve të vendimit të GJKKO-së për pezullimin nga detyra të Zëvendëskryeministres dhe Ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




