Skema Kombëtare e Bujqësisë/ Rama: Numër i papranueshëm fabrikash agro-përpunimi, sfidë për integrimin në BE
Kryeministri Edi Rama, gjatë fjalës së mbajtur në dëgjesën me fermerët në Divjakë për Skemën Kombëtare të Bujqësisë 2026, deklaroi se Shqipëria ka aktualisht një numër shumë të ulët fabrikash agro-përpunimi, duke e cilësuar këtë situatë si të papranueshme.
Kreu i qeverisë theksoi se mungesa e kapaciteteve të përpunimit për prodhimet bujqësore përbën një pengesë serioze jo vetëm për zhvillimin e sektorit, por edhe për procesin e integrimit në Bashkimin Evropian. Sipas tij, anëtarësimi në BE kërkon përmbushjen e kritereve strikte të sigurisë ushqimore.
“Ne kemi një numër qesharak fabrikash që përpunojnë prodhimet tona bujqësore. Kjo është e papranueshme. Nëse nuk plotësohen kriteret e sigurisë ushqimore të BE-së, ndalon shitja jo vetëm në tregjet evropiane, por edhe këtu”, u shpreh Rama.
Kryeministri bëri të ditur se qeveria ka vënë në dispozicion të bujqësisë 250 milionë euro, fond i cili mund të shkojë deri në 1 miliard euro nëse shfrytëzohet përmes Bankës së Shqipërisë dhe bankave të nivelit të dytë. Ai theksoi se financimi nuk është problem, por mungesa e informacionit dhe përgatitjes për të përthithur këto fonde mbetet një sfidë e madhe.
Sipas Ramës, e njëjta situatë vlen edhe për fondet e Bashkimit Evropian, të cilat do të rriten, por janë të lidhura drejtpërdrejt me aftësinë e sektorëve për t’i përthithur ato. Ai nënvizoi se aplikimi kërkon projekte të mirëstrukturuara dhe dosje të argumentuara që justifikojnë financimin.
“Ne kemi vënë në dispozicion të bujqësisë 250 mln euro që mund të shkojnë dhe 1 miliardë në rast se do të konsumohen për mes BSH në bankat e nivelit të dytë.
Të gjithë mund të shkojnë e të marrin kredi që janë me garanci nga shteti. Këtu normat e interesit janë më të ulëta se në bankat e nivelit të dytë kur shkohet jashtë kësaj garancie. Kjo garanci është shfrytëzuar shumë pak.
Ju keni nevojë por duhet një përgatitje e një dosje për t’ju drejtuar bankës dhe për ti thënë ja plani që kam dhe si sjell fitim, dhe arsyet pse ju duhet të më mbështesni. Në këtë aspekt ka një mangësi që ne nuk po e adresojmë dot që është pushteti vendor”, deklaroi ai.
Kreu i qeverisë kritikoi gjithashtu rolin e pushtetit vendor, duke theksuar se bashkitë dhe kryetarët e bashkive duhet të jenë më aktivë në mbështetjen e fermerëve për hartimin e projekteve dhe aplikimin për financime. Ai tha se nuk duhet të ketë asnjë pengesë për ndërtimin e pikave agro-përpunuese apo grumbulluese në zonat bujqësore.
“Bashkitë dhe kryetarët e bashkive duhet të jenë shumë më aktive me fermerët dhe bujqit për të adresuar këto shqetësime. Nuk duhet të ketë asnjë problem në rast se duhet një komponent agro-përpunimi në një zonë bujqësore”, shtoi Rama.
Ky i fundit u bëri thirrje fermerëve për bashkëpunim dhe koordinim në prodhim dhe tregtim, me qëllim rritjen e volumit dhe përfitimit ekonomik. “Prodhimin secili e bën vetë, por duhet koordinim që kur të shesim të jemi bashkë, të kemi volum dhe të fitojmë më shumë,” përfundoi ai.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




