Juristi Beci në “Trialog”: Kryeministri s’mund të ankimojë çështje individuale në Kushtetuese, vetëm konflikte pushtetesh
Juristi Eugen Beci ka bërë një analizë ligjore lidhur me lëvizjet e fundit të Kryeministrit drejt Gjykatës Kushtetuese.
I ftuar në emisionin “Trialog” në RTSH, Beci shpjegoi dallimin thelbësor mes një “konflikti abstrakt”, përplasje kompetencash mes pushteteve dhe një “konflikti individual”, pezullimi i një zyrtari.
Sipas Becit, Kushtetuta i jep të drejtë Kryeministrit t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese vetëm kur cenohen kompetencat e pushtetit ekzekutiv në raport me pushtetet e tjera (Legjislativi apo Gjyqësori).
“Në rast konflikti mes pushteteve, kryeministri ka të drejtë ta çojë në Kushtetuese. Por rasti në fjalë nuk është i tillë. Këtu diskutohet pezullimi i një individi,” sqaroi juristi.
Beci ngriti shqetësimin se Gjykata Kushtetuese po humbet funksionin e saj si “Gardian i Kushtetutës” dhe po sillet si një shkallë e katërt gjyqësore.
“Kushtetuesja duket sikur është kthyer në gjykatë apeli, duke korrigjuar vendimet e gjykatave më të ulëta. Kjo nuk duhet të ndodhë,” theksoi ai.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



