“Green Vjosa”, Gjermania nis projektin 3-vjeçar për zhvillimin e Parkut Kombëtar dhe turizmit lokal

Aktualitet | 9 muaj më parë

Ambasada Gjermane në Tiranë ka zyrtarizuar nisjen e një projekti të ri strategjik për mbrojtjen dhe zhvillimin ekonomik të zonës së Vjosës. Më 3 shkurt 2026, u nënshkrua marrëveshja “Green Vjosa”, e cila synon të harmonizojë mbrojtjen e natyrës me mirëqenien e banorëve të zonës.

Projekti, i financuar nga Ministria Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (BMZ), do të zgjasë deri në vitin 2029 dhe do të zbatohet nga GIZ Albania.

Fokus, UNESCO dhe ekonomia lokale

Sipas njoftimit zyrtar, nisma vjen në një moment kyç për Parkun Kombëtar të Vjosës, i cili aktualisht është pjesë e aplikimit për t’u shpallur “Rezervë e Biosferës” nga UNESCO. Gjermania angazhohet të mbështesë administratën shqiptare në menaxhimin e parkut përmes trajnimeve dhe shkëmbimit të përvojave, duke siguruar që standardet ndërkombëtare të mbrojtjes të respektohen.

Punësim përmes natyrës

Një element thelbësor i marrëveshjes është ekonomia. Projekti “Green Vjosa” nuk do të mbetet vetëm në letër, por synon të nxisë bizneset lokale që ofrojnë produkte dhe shërbime ekologjike. Objektivi është krijimi i vendeve të reja të punës për komunitetin lokal, duke shfrytëzuar potencialin turistik dhe natyror të pellgut të Vjosës, pa e dëmtuar atë.

Bashkëpunimi do të shtrihet në tre nivele: administratë, sektor ekonomik dhe shoqëri civile, për të krijuar një model të qëndrueshëm zhvillimi rajonal.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme