Debati për pagat në “Trialog”, avokati Gjermeni: Gjyqtarët kanë të drejtë, paga e magjistratit nuk mund të ulet
Përplasja e fundit mes Kryeministrit Rama dhe sistemit të drejtësisë për pagat që arrijnë deri në 5300 euro në muaj, është analizuar mbrëmjen e sotme në emisionin “Trialog” në RTSH.
Të ftuar përballë moderatores Alba Alishani, paneli i përbërë nga analistët Preç Zogaj, Lorenc Vangjeli, Arion Sulo dhe avokati Artan Gjermeni, diskutuan anën ligjore dhe morale të kësaj rritjeje.
Avokati Artan Gjermeni argumentoi se, në aspektin juridik gjyqtarët kanë një bazë të fortë logjike. Ai shpjegoi se statusi i magjistratit mbron pagën nga ulja, një standard i vendosur për të garantuar dinjitetin dhe pavarësinë e tyre.
Gjermeni bëri një retrospektivë të problemit, duke nisur nga Reforma në Drejtësi e vitit 2016.
“Në 2016, ligji përcaktoi paga të reja për shkak të dinjitetit të nëpërkëmbur të magjistratëve. Pas një kontrolli të KLSH-së, u konstatuan gabime në referenca. KLGJ propozoi si referencë pagën e Drejtorit të Përgjithshëm në Kryeministri,” shpjegoi avokati.
Sipas Gjermenit, problemi lindi kur në vitin 2023 u ndryshua referenca, duke e lidhur pagën e gjyqtarëve me 36% të pagës së Presidentit.
“Referenca e re (me pagën e Presidentit) rezulton më e ulët se referenca e vjetër (Drejtori në Kryeministri). Por, Gjykata Kushtetuese ka krijuar precedent në vitin 2022, duke sanksionuar se paga e magjistratit mund të rritet, por jo të ulet,” theksoi ai.
Në mbyllje, avokati paralajmëroi se nëse Gjykata Kushtetuese do të ndryshonte qëndrim sot, në vitin 2026, duke dalë kundër vendimit të saj të vitit 2022, kjo do të krijonte një situatë absurde ku magjistratët mund të detyrohen të kthejnë paratë mbrapsht.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




