Tragjedi e rëndë/ Helmohen nga monoksidi i karbonit, shuhet familja shqiptare prej 4 anëtarësh në Itali

Aktualitet | 9 muaj më parë

Një tragjedi e rëndë ka ndodhur në Itali, ku 4 anëtarët e një familjeje shqiptare kanë ndërruar jetë si pasojë e helmimit nga monoksidi i karbonit.

Ngjarja e rëndë u regjistrua mbrëmjen e së mërkurës (4 shkurt) në Porcari, një komunë në fushën e Luccës.

Dyshohet se ka qenë një mosfunksionim i kaldajës ngrohëse që ka bërë të lëshohet gaz në banesën e familjes në Via Galgani dhe të ketë rrjedhje brenda ambientit të apartamentit që ka shkaktuar këtë vdekje të menjëhershme.

Viktimat janë një burrë 48-vjeçar, bashkëshortja e tij 43-vjeçare dhe dy fëmijët e tyre, të moshës 22 dhe 15 vjeç, të gjithë me origjinë shqiptare. Një anëtar i pestë i familjes, vëllai i kryefamiljarit, ndodhet në gjendje kritike për jetën.

Sipas autoriteteve italiane, ishte pikërisht vëllai i 48-vjeçarit ai që ngriti alarmin, pasi familjarët nuk po u përgjigjeshin telefonatave. Pasi mbërriti në banesën trekatëshe dhe nuk mori asnjë përgjigje pas disa trokitjesh në derë, ai njoftoi karabinierët.

Forcat e rendit ndërhynë duke hapur derën me forcë, por sapo hynë brenda u përballën me një skenë tronditëse: katër trupa të pajetë të shtrirë në dysheme. Tragjedia dyshohet se ka ndodhur rreth në mbrëmje, pasi ekipet e shpëtimit gjetën tryezën të shtruar.

Anëtari i pestë i familjes humbi ndjenjat nga helmimi me monoksid karboni para karabinierëve, të cilët arritën të dilnin me shpejtësi nga banesa dhe të kërkonin ndihmë. Ai u transportua me urgjencë në spitalin Cisanello.

Në vendngjarje mbërriti edhe kryetari i bashkisë së Porcarit, Leonardo Fornaciari, i cili shprehu tronditjen e thellë për këtë ngjarje të rëndë që ka prekur mbarë komunitetin lokal, vetëm pak kilometra larg qytetit të Luccës.

Autoritetet italiane kanë nisur hetimet për të sqaruar shkaqet e sakta të tragjedisë, ndërsa dyshimet kryesore lidhen me një defekt teknik në sistemin e ngrohjes së banesës.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme