Korrupsion zgjedhor, GJKKO shpall fajtorë 3 të pandehur, konverton burgun në shërbim prove

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka shpallur fajtorë mesditën e sotme tre persona të akuzuar për përfshirje në shitblerje votash dhe korrupsion zgjedhor.
Trupa gjykuese e përbërë nga gjyqtarët Flora Hajredinaj, Etleva Deda dhe Rudina Palloj ka dënuar të pandehurit Gersi Kaçorri, Besnik Uka dhe Artur Jahja, por ka vendosur pezullimin e dënimit të tyre me burg, duke i lënë në liri me kusht.
Sipas vendimit të GJKKO-së, Gersi Kaçorri u shpall fajtor për veprën penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”. Ai u dënuar fillimisht me 1 vit burgim, por për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi i zbriti në 8 muaj burgim.
Dy të pandehurit e tjerë, Besnik Uka dhe Artur Jahja, u gjetën fajtorë për “Korrupsion pasiv në zgjedhje” kryer në bashkëpunim. Edhe për ta, gjykata dha të njëjtën masë: 1 vit burgim, i cili pas aplikimit të gjykimit të shkurtuar u reduktua në 8 muaj burgim.
Liria me kusht
Pavarësisht dënimit me burg, asnjë nga të pandehurit nuk do të shkojë në qeli. Gjykata ka urdhëruar pezullimin e ekzekutimit të dënimit dhe vënien e tyre në shërbim prove për një periudhë prej 1 viti e 6 muajsh.
Gjatë kësaj kohe, ata duhet të mbajnë kontakte të rregullta me Shërbimin e Provës dhe u ndalohet kategorikisht shoqërimi me persona të dënuar për vepra penale. Nëse ata kryejnë një vepër tjetër penale gjatë kësaj periudhe, dënimi me burg rikthehet në fuqi.
Sekuestrimi i telefonave
Si pjesë e provave materiale dhe ndëshkimit, gjykata ka vendosur konfiskimin e telefonave celularë të të tre të pandehurve (Samsung dhe iPhone), të cilët dyshohet se janë përdorur për komunikimet që lidhen me veprën penale.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




