Skadimi i traktatit bërthamor Rusi-SHBA – Trump kërkon marrëveshje të re me Kinën, Moska vë kushte për Britaninë e Francën
Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar zyrtarisht hartimin e një marrëveshjeje të re bërthamore, pasi traktati historik me Rusinë skadoi mesnatën e së enjtes. Moska sugjeroi zgjatjen e afatit edhe për një vit, por presidenti Donald Trump e refuzoi këtë propozim duke kërkuar një rregullore të re.
Zyrtarët amerikanë deklaruan në Gjenevë se marrëveshjet e vjetra dypalëshe janë tashmë të pamjaftueshme për sigurinë globale në vitin 2026. Uashingtoni këmbëngul që në traktatin e ri të përfshihet patjetër edhe Kina, e cila po rrit me shpejtësi arsenalin e saj atomik.
Megjithatë, Pekini zyrtar ka refuzuar kategorikisht të bëhet pjesë e negociatave, duke pretenduar se zotëron shumë më pak koka bërthamore. SHBA-të hedhin akuza se pala kineze po kryen teste të fshehta dhe parashikojnë një rrezik në rritje brenda kësaj dekade. Nga ana tjetër, Rusia u shpreh e hapur për diskutime, por kërkoi që në tryezë të ulen edhe Britania e Madhe me Francën.
Kjo përplasje diplomatike ka lënë aktualisht botën pa një dokument ligjor që kufizon armët më të rrezikshme të planetit. Situata mbetet mjaft e tensionuar pasi skadimi i traktatit New START i hap rrugë një gare të re dhe të pakontrolluar armatimesh. Ekspertët ndërkombëtarë paralajmërojnë se pa një marrëveshje të shpejtë, balanca e fuqive botërore mund të destabilizohet ndjeshëm.
Gazetar: A. Mata
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




