Ra me makinë në ujërat e lumit Mat, gjendet trupi i Jurgen Karajt

Aktualitet | 9 muaj më parë

Pas gati një muaji kërkimesh intensive, trupi i 30-vjeçarit Jurgen Karaj është gjetur këtë të shtunë (7 shkurt) në liqenin e Ulzës.

I riu nga fshati Fullqet i Klosit humbi jetën më 10 janar, pasi automjeti ku udhëtonte si pasagjer, humbi drejtimin dhe përfundoi në lumin Mat.

Që prej ditës së ngjarjes, kërkimet janë zhvilluar pa ndërprerje përgjatë gjithë rrjedhës së lumit Mat nga dhjetëra forca të Batalionit të Tretë të Repartit të Këmbësorisë Burrel, struktura të Emergjencave Civile, policia, si dhe familjarë.

Prej datës 29 janar, operacionit të kërkimit iu bashkua edhe një grup i specializuar nga Forcat e Sigurisë së Kosovës, me mbi 11 persona të angazhuar çdo ditë krah forcave shqiptare. E gjithë vija lumore e Matit u kontrollua disa herë, pa rezultat, ndërsa kërkimet u shtrinë edhe në basenin ujor të liqenit të Ulzës.

Forcat e Sigurisë së Kosovës përdorën edhe dron nënujor për të verifikuar zonat e vështira për t’u aksesuar. Gjetja e trupit u bë e mundur pas rënies së prurjeve të lumit ditët e fundit, çka lehtësoi ndërhyrjen e ekipeve në terren.

Lidhur me ngjarjen, u arrestua Andi Losha, shok me viktimën, i cili dyshohet se ditën e aksidentit drejtonte automjetin në gjendje të dehur. Autoritetet po vijojnë procedurat ligjore për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes tragjike.

Trupi i pajetë do të transportohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore për kryerjen e ekspertizës mjeko-ligjore, me qëllim përcaktimin e saktë të identitetit dhe shkaqeve të humbjes së jetës.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme