Gjykata e Hong Kongut dënon me 20 vjet burg manjatin e medias pro-demokracisë Jimmy Lai

Autoritetet gjyqësore të Hong Kongut kanë dhënë një dënim prej 20 vitesh burg ndaj biznesmenit dhe aktivistit pro-demokracisë Jimmy Lai, duke shënuar rastin më të rëndë të ndëshkimit sipas ligjit të sigurisë kombëtare.
Lai u shpall fajtor në dhjetor për vepra penale që lidhen me këtë ligj, i cili është kritikuar gjerësisht nga komuniteti ndërkombëtar, por që Kina e justifikon si të nevojshëm për garantimin e stabilitetit në qytet.
Mbajtësi i një pasaporte britanike, Jimmy Lai ishte një nga zërat më kritikë ndaj Pekinit, duke përdorur gazetën e tij pro-demokracisë, Apple Daily, si platformë kundërshtimi politik.
Në të njëjtën çështje, gjashtë ish-drejtues të gazetës u dënuan të hënën me burgime që variojnë nga gjashtë vjet e nëntë muaj deri në 10 vjet.
Figura e Lai mbetet thellësisht përçarëse: ai vlerësohet si hero nga lëvizja pro-demokraci, ndërsa autoritetet kineze e konsiderojnë tradhtar.
Vetë Lai i ka hedhur poshtë të gjitha akuzat, duke deklaruar se ka vepruar në mbrojtje të vlerave të Hong Kongut, përfshirë sundimin e ligjit dhe lirinë e shprehjes.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




