Jaupaj: Kemi përmbyllur fazën e parë të reformës së mbetjeve. Të gjithë projektet do të nisin realizimin në vitin 2027

Politikë | 9 muaj më parë

Ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj, shpalli sot përmbylljen e fazës së parë të reformës së mbetjeve, një hap kyç për krijimin e një sistemi të qëndrueshëm dhe efikas menaxhimi të mbetjeve në Shqipëri. Gjatë një konference për shtyp, Ministri njoftoi se një sërë projektesh të rëndësishme janë duke u implementuar, përfshirë zgjerimin dhe ndërtimin e landfilleve dhe stacioneve të transferimit, ndërtimin e qendrave për rikuperimin e mbetjeve dhe kompostimin, si dhe rehabilitimin e vendedepozitimeve ilegale në të gjithë territorin.

Projektet, që janë hartuar në bashkëpunim me qeverinë gjermane, franceze dhe Komisionin Europian, do të financohen përmes marrëveshjeve bilaterale dhe me Komisionin Europian. Jaupaj theksoi se të gjitha projektet lidhur me këtë reformë do të nisin realizimin e tyre në vitin 2027.

“Janë duke u zbatuar projektet për zgjerimin e 4 landfilleve rajonalë, ndërtimin e 7 landfilleve rajonalë, 17 stacione të transferimit do të ndërtohen, 10 stacione të rikuperimit të mbetjeve, 5 qendra kompostimi në bashkitë me karakter bujqësor dhe do të rehabilitohen 49 vendedepozitime ilegale që janë në të gjithë territorin. Të gjithë projektet që janë duke u hartuar, jemi duke i hartuar në bashkëpunim me qeverinë gjermane franceze dhe Komisionin Europian, do të nisin zbatimin në vitin 2027, pasi financimi i projekteve është siguruar falë marrëveshjeve bilaterale dhe marrëveshjeve me Komisionin Evropian”, tha ai.

Përveç kësaj, ai njoftoi se një bashkëpunim i veçantë është iniciuar me partnerët francezë për realizimin e studimeve të fizibilitetit për zonat e Sharrës, Fierit dhe Elbasanit, të cilat përfaqësojnë 65% të mbetjeve urbane në Shqipëri. Ky studim pritet të përfundojë deri në fund të vitit, duke ofruar një dokument të qartë mbi aspektet ligjore, teknike dhe financiare të menaxhimit të këtyre zonave.

“Sa i takon Sharrës, Fierit dhe Elbasanit, këto zona përfaqësojnë 65% të mbetjeve urbane në Shqipëri. Për këtë kemi nisur bashkëpunim me partnerët francezë për realizimin e studimeve të fizibilitetit për të tre këto zona. Deri në fund të viti do të kemi një dokument të qartë të aspektit ligjor, teknik dhe financiar sa i takon mënyrës se si Ministria e Mjedisit do të menaxhojë sëbashku me Operatorin e Trajtimit të Mbetyjeve këto 3 zona që kanë patur. Do ndihmojmë edhe bashkitë sa i takon bazës materiale, konkretisht për 3 zonat e menaxhimit të mbetjeve, atë të Beratit, Tiranë-Durrës dhe të Dibrës gjatë këtij viti do dorëzohen 5 mijë kontejnerë mbetjesh. Bashkitë do të duhet të nisin ndarjen në burim të mbetjeve”, theksoi Ministri.

Gjithashtu, Jaupaj njoftoi se Ministria e Mjedisit po punon për integrimin e përgjegjësisë mjedisore në Kodin e ri Penal, si pjesë e një reforme më të gjerë të përgjegjësisë ligjore ndaj mbetjeve.

Në fund të muajit shkurt, do të lançohen gjithashtu nismat për cilësinë e ajrit, që do të përfshijnë strategjinë kombëtare për ajrin, ligjin e ri dhe vendime të tjera për zbatimin e tij.

“Jemi duke punuar me Ministrinë e Mjedisit që përgjegjësia mjedisore, pjesë e direktivës së përgjegjësisë mjedisore të jetë plotësisht e parashikuar në Kodin e ri Penal. Në fund të muajit shkurt do të lançojmë paketën e cilësisë së ajrit, ku përfshihet strategjia kombëtare, ligji i ri dhe disa vendime të zbatimit”, tha ministri”, deklaroi ai.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme